Analisti politik Dušan Janjiq deklaroi sot se për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) të vitit 2020, përgjegjëse i konsideron Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Janjiq i tha agjencisë Beta se, pas fjalimit të djeshëm të presidentit amerikan Donald Trump në Davos, është absolutisht e qartë se hetimi për manipulimin e zgjedhjeve është në zhvillim dhe se ai përfshin edhe Beogradin.
“Deri tani ka pasur disa paralajmërime për nisjen e hetimeve lidhur me vjedhjen e zgjedhjeve presidenciale amerikane, përmes rrjeteve sociale, si dhe se një adresë IP nga Serbia është përdorur për fushatë kundër Trumpit. Kjo deri më tani nuk ishte konfirmuar, por pas fjalimit të djeshëm të presidentit Trump në Davos, tani është absolutisht e qartë se hetimi është në zhvillim dhe se përfshin edhe Beogradin”, tha ai.
Sipas fjalëve të tij, në SHBA ekziston diçka që “politikanët gjysmë të arsimuar vendorë dhe ekspertët e BIA-s e kanë neglizhuar”.
“Në SHBA ekziston Agjencia Kombëtare e Sigurisë, e cila kontrollon sigurinë kibernetike, veçanërisht në situata që ndikojnë në interesat amerikane dhe demokracinë. Nëse vërtetohet se kjo është e saktë, dhe nuk kemi arsye të dyshojmë se Trump po sajon, duhet pritur ndjekja penale e të gjithë personave që kanë marrë pjesë në manipulimin e zgjedhjeve amerikane. Nuk e përjashtoj mundësinë që këtë ta ketë bërë BIA përmes ndonjë agjencie private, por të lidhur ngushtë me pushtetin dhe me konceptin e luftës kundër revolucionit të ngjyrave”, tha Janjiq.
Ai shtoi se mendon që në këtë kanë marrë pjesë një numër personash, të cilët tani kanë filluar të largohen nga maja e BIA-s, por kjo nuk do t’i shpëtojë ata.
“Parashtrohet pyetja deri ku do të shkojë hetimi dhe nëse do ta përfshijë edhe Aleksandar Vuçiçin, i cili kontrollon gjithçka në Serbi. Kjo do të ishte një situatë shumë e rëndë për Vuçiçin, sepse do të tregohej se një shtet po zhvillon një aksion kibernetik kriminal kundër një shteti tjetër, në këtë rast kundër SHBA-së për pozitën e presidentit. Kush do të përfshihet në ndjekjen penale do ta vendosë prokurori amerikan”, theksoi analisti.
Duke komentuar pretendimet se pas manipulimit të zgjedhjeve në SHBA qëndron kompania serbe “Roaming Networks”, Janjiq i vlerësoi ato si “hedhje uji në mullirin e Vuçiçit”.
“Në këtë hetim duhet të përfshihet edhe Drejtoria për Luftën kundër Krimit të Teknologjisë së Lartë e MPB-së së Serbisë. Derisa të vërtetohet se në BIA nuk ekziston një ekip për luftën kundër revolucionit të ngjyrave, e për të cilin Aleksandar Vulin ka pretenduar se ekziston, për pjesëmarrjen në manipulimin e zgjedhjeve amerikane, në aspektin operacional e konsideroj përgjegjëse BIA-n, ndërsa në aspektin politik dhe kriminal Aleksandar Vuçiçin”, përfundoi Janjiq.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dje në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, paralajmëroi nisjen e afërt të ndjekjes penale për zgjedhjet e vjedhura të vitit 2020.
“Njerëzit së shpejti do të ndiqen penalisht për atë që kanë bërë. Këto ishin zgjedhje të manipuluara”, tha Trump.
Ai, në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, e lidhi kompaninë serbe “Dominion Voting Systems” me falsifikimin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA në vitin 2020.
Trump në rrjetet sociale shpërndau një postim ku thuhet se Elon Musk ka arritur të parandalojë manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2024 duke i çaktivizuar kompjuterët e kompanisë së përmendur në Serbi.
Donald Trump në vitin 2020 humbi zgjedhjet presidenciale nga Joe Biden, por që në natën e zgjedhjeve pretendoi se demokratët i kishin vjedhur zgjedhjet, në të cilat në plot 28 shtete amerikane ishin përdorur makineri për votim elektronik dhe pajisje optike për numërimin e fletëvotimeve të kompanisë “Dominion Voting Systems”.
Selia e kësaj kompanie është në Kanada, ndërsa ajo ka degë për zhvillimin e softuerit në SHBA, Kanada dhe Serbi, dhe është e pranishme në tregun serb që nga viti 2011.
Faqja amerikane “Stolen Elections Facts” kishte publikuar më herët se “Dominion” kishte hapur qendrën e saj të të dhënave në Beograd përmes kompanisë serbe “Roaming Networks”, e njohur edhe si “Dot Networks”, e cila operon edhe në tregun amerikan.