Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen, raporton Ekonomia Online.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka treguar për Ekonomia Online se numri i komunave që kanë përmbyllur plotësisht rinumërimin është 19 dhe kanë mbetur edhe gjysma tjetër.
“Nga fillimi i këtij procesi më 13 janar dhe deri më tani janë rinumëruar rreth 49% apo 1,240 nga 2,557 vendvotime. Pra, procesi është përmbyllur plotësisht në 19 komuna dhe kanë mbetur që të rinumërohen rreth 1,300 vendvotime të tjera, që i takojnë 19 komunave tjera”, tha Elezi.
Më tej, Elezi tha se KQZ është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë të përmbyllë procesin e rinumërimit dhe të shpall rezultatet përfundimtare.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha Elezi.
Sipas Elezit, ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme.
Vetëm pas përfundimit të përfundimit të shqyrtimit, vendimmarrjes dhe zbatimit të vendimeve, KQZ mund të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht përmbylljes së procesit zgjedhor.
