Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dje në Davos është takuar me Presidentin e Singaporit, Tharman Shanmugaratnam.
Osmani ka bërë të ditur se ky ishte takimi i dytë mes tyre, pas atij të mbajtur më herët në Singapor, duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve.
“Pas takimit tonë të parë në Singapor, dje në Davos pata kënaqësinë të takoja sërish Presidentin e Singaporit, Tharman Shanmugaratnam. Diskutuam marrëdhëniet tona të shkëlqyera ndërshtetërore, mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe koordinimin në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Ajo ka theksuar se gjatë takimit ka propozuar që pas liberalizimit të vizave për qytetarët me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, hapi i radhës të jetë liberalizimi i plotë i vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Pas liberalizimit të vizave për qytetarët tanë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, propozova që hapi i radhës të jetë liberalizimi i plotë i vizave për të gjithë qytetarët tanë, një hap që do të forconte edhe më tej bashkëpunimin mes dy shteteve dhe do të afronte më shumë popujt tanë”, ka theksuar ajo.
Po ashtu, Osmani ka bërë të ditur se me Presidentin Shanmugaratnam kanë diskutuar edhe për organizimin e një forumi të përbashkët ekonomik, si dhe për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.
“Diskutuam organizimin e forumit të përbashkët ekonomik dhe rëndësinë e hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit midis dy shteteve tona në fusha të shumta të interesit të dyanshëm”, ka shtuar Presidentja Osmani.