Policia gjen personin e zhdukur në Ferizaj pas dy ditësh kërkimesh intensive

Prishtinë | 23 Jan 2026 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Më 21.01.2026, rreth orës 05:00, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar informacion për zhdukjen e S.P., 30 vjeç, shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili ishte larguar nga një vilë në fshatin Jezercë dhe për të cilin nuk dihej vendndodhja.

Sipas informatave fillestare, rreth orës 05:00, S.P. kishte marrë një veturë BMW me targa shqiptare dhe ishte nisur drejt Ferizajt, ku dyshohej se kishte shkaktuar një aksident trafiku në fshatin Jezercë.

Pas pranimit të informatës, hetuesit rajonalë, në bashkëpunim me Njësinë e Trafikut Rajonal, filluan mbledhjen e informatave dhe ndërmorrën veprime hetimore.

“Në bashkëpunim me Forenzikën Rajonale, kemi kontrolluar kamerat e sigurisë në zonë dhe kemi kryer verifikime në Qendrën Emergjente në Ferizaj, QKUK – Prishtinë, si dhe në disa ordinanca private, por nuk ishte raportuar asnjë person i lënduar. Paralelisht, janë zhvilluar kërkime intensive në terren,” thuhet në njoftim.

Për kërkimin e personit të zhdukur janë angazhuar edhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësia K-9 e Policisë së Kosovës dhe Brigada e Zjarrëfikësve.

Sot, më 23.01.2026, rreth orës 15:30, një qytetar ka kontaktuar Qendrën e Komunikimit Rajonal në Ferizaj duke njoftuar se kishte hasur një person në fshatin Budakovë të Suharekës, pranë vendit të quajtur “Gurra e Kadisë”. Pas verifikimeve, është konfirmuar se bëhej fjalë për S.P., i cili është transportuar menjëherë në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim dhe ndihmë mjekësore.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj falënderon Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësinë K-9, pjesëtarët e policisë së rajonit, si dhe qytetarët e angazhuar, veçanërisht qytetarin B. Osmani, 54 vjeç, nga Ferizaj, për kontributin e jashtëzakonshëm në gjetjen e personit të zhdukur.

Të ngjashme