Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të hënën në mëngjes janë arrestuar A.G dhe R.Z.
A.G dhe R.Z. të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, ndërsa R.Z për “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurimin publik nga neni 415 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.
Hetuesit policorë kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prizren dhe në Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni” si dhe të një subjekti privat.
Urdhër kontrolli është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të tenderimit.
Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 si dhe para të gatshme.
“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër korrupsionit”, thuhet në komunikatën e PSKR-së.