Një dokument amerikan për garancitë e sigurisë për Ukrainën është plotësisht i gatshëm dhe Kievi po pret caktimin e kohës dhe vendit për nënshkrimin e tij, ka deklaruar presidenti Volodymyr Zelenskiy, duke lënë të kuptohet se bisedimet e fundjavës me Rusinë në Abu Dabi shënuan njëfarë përparimi.
“Për ne, garancitë e sigurisë janë mbi të gjitha garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dokumenti është 100 për qind gati dhe ne po presim që partnerët tanë të konfirmojnë datën dhe vendin kur do ta nënshkruajmë,” deklaroi Zelensky në një konferencë për media gjatë vizitës në Vilnius, kryeqytetin e Lituanisë.
“Pas kësaj, dokumenti do të dërgohet për ratifikim në Kongresin e SHBA-së dhe në parlamentin e Ukrainës”, theksoi ai.
Të premten dhe të shtunën, negociatorët ukrainas dhe rusë zhvilluan takimin e tyre të parë trepalësh, me ndërmjetësimin e SHBA-së, në Abu Dabi, për të diskutuar kornizën e Uashingtonit për përfundimin e luftës që po zgjat prej gati katër vitesh, por pa arritur ndonjë marrëveshje.
Megjithatë, si Moska ashtu edhe Kievi thanë se janë të hapur për dialog të mëtejmë dhe pritet që diskutime të tjera të zhvillohen të dielën e ardhshme në Abu Dabi, tha një zyrtar amerikan për gazetarët menjëherë pas bisedimeve të fundjavës.
“Në Abu Dabi po diskutohen plani amerikan me 20 pika dhe çështjet problematike. Kishte shumë çështje problematike, por tani janë më pak,” tha Zelensky.