Osmani: Diskriminimi sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është më i padukshëm

Prishtinë | 26 Jan 2026 | 18:07 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas avancimit të Ligjit për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë hap si një mesazh të qartë kundër shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Sipas Osmanit, ky zhvillim dëshmon se diskriminimi sistematik ndaj komunitetit shqiptar në Serbi nuk do të tolerohet më.

“Avancimi i Ligjit për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së dërgon një mesazh të qartë: diskriminimi sistematik ndaj komunitetit shqiptar në Serbi nuk është më i padukshëm dhe as i toleruar”, ka shkruar Osmani.

Presidentja ka renditur një sërë shkeljesh që, sipas saj, Serbia i ka ushtruar vazhdimisht ndaj pakicave, në veçanti ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Serbia ka kryer vazhdimisht shkelje autoritare të të drejtave të pakicave, përfshirë fushatën e qëllimshme të pasivizimit për të kryer spastrim etnik përmes mjeteve administrative, shtypjen e gjuhës shqipe, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin në arsim, marginalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore”, ka theksuar ajo.

Osmani ka falënderuar kongresistët amerikanë për mbështetjen dypartiake ndaj këtij ligji, duke vlerësuar rolin e tyre në avancimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“E vlerësojmë përfaqësuesin Keith Self për inicimin dhe mbështetjen e këtij ligji, kryetarin Brian Mast dhe anëtarin kryesor Gregory Meeks për udhëheqjen e tyre, si dhe të gjithë anëtarët që votuan në favor, duke e avancuar ligjin me mbështetje dypartiake”, ka shkruar Osmani.

Presidentja ka shprehur mirënjohje edhe për organizatat shqiptaro-amerikane që kanë lobuar për këtë çështje.

“Mirënjohja jonë shkon gjithashtu për Albanians4USA, për sigurimin që zërat e njerëzve të Luginës së Preshevës të dëgjohen në nivelet më të larta të politikëbërjes amerikane”, ka shtuar Osmani.

Të ngjashme