Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës “Furnizimi me barna nga Ministria e Shëndetësisë”, për periudhën 2022–2024.
Subjekt i këtij auditimi janë Ministria e Shëndetësisë, si dhe komunat e Lipjanit, Gjilanit, Rahovecit, Mitrovicës së Jugut si dhe komuna e Ferizajt. Në fokus të auditimit do të jenë planifikimi, kontraktimi, shpërndarja dhe menaxhimi i barnave, me synim rritjen e efikasitetit në sektorin shëndetësor.
Auditimi do të vlerësojë nëse Ministria e Shëndetësisë ka vepruar në mënyrë ekonomike dhe efikase në procesin e furnizimit dhe shpërndarjes së barnave për kujdesin shëndetësor parësor dhe për sëmundjet e rralla.
“Sipas raportimeve mediatike, ndonëse Qeveria ka ndarë buxhet të konsiderueshëm për këto barna, në praktikë vazhdon të ketë mungesa. Aktualisht MSh-ja përmbush vetëm 35–40% të nevojave reale për disa barna, duke detyruar komunat dhe qytetarët që t’i sigurojnë ato vetë”, thuhet në njoftim.