Franca i kundërpërgjigjet shefit të NATO-s për fuqinë mbrojtëse të Evropës

Prishtinë | 27 Jan 2026 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Qeveria franceze ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, se Evropa nuk mund të mbrohet pa Shtetet e Bashkuara.

“Jo, i dashur Mark Rutte. Evropianët mund dhe duhet të marrin përgjegjësinë për sigurinë e tyre. Edhe Shtetet e Bashkuara janë dakord. Kjo është shtylla evropiane e NATO-s”, tha Ministri i Jashtëm francez, Jean-Nowl Barrot, sipas Politicos.

Të hënën, Rutte deklaroi në Parlamentin Evropian, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga deputeti francez i ekstremit të djathtë Pierre-Romain Thionnet, se kontinenti nuk mund të mbrohet pa mbështetjen amerikane.

Ai gjithashtu kundërshtoi idenë e një ushtrie evropiane – një koncept i ringjallur së fundmi nga Komisioneri i Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius – dhe tha se “shtylla evropiane e NATO-s është paksa një frazë boshe”.

Megjithatë, që kur Presidenti i SHBA-së Donald Trump u rikthye në pushtet, administrata e tij ka këmbëngulur që Uashingtoni do të jetë më pak i përfshirë në sigurinë evropiane.

Strategjia e re e Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së, e publikuar të premten në mbrëmje, thotë se evropianët do të duhet të marrin drejtimin në luftimin e kërcënimeve, duke argumentuar se Evropa është e aftë si ekonomikisht ashtu edhe ushtarakisht të mbrohet nga Rusia.

Vitin e kaluar, Trump arriti të bindë vendet evropiane që të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 5 përqind të PBB-së.

Të ngjashme