Në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, mbrëmjen e sotme është mbajtur ceremoni komemorative për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.
Në mesin e pjesëmarrësve në këtë ceremoni ishin diplomatë të huaj, përfaqësues institucionalë e pjesëtarë të shoqërisë civile.
Presidentja Vjosa Osmani tha se Holakausti ishte sulm kundër njerëzimit.
“Sonte jemi mbledhur për të përkujtuar dhe për të nderuar gjashtë milionë gra, burra dhe fëmijë hebrenj që u vranë sistematikisht gjatë Holokaustit, si dhe miliona viktima të tjera të pafajshme që u shënjestruan nga regjimi nazist. Holokausti nuk ishte thjesht një sulm kundër një populli. Ishte një sulm kundër vetë njerëzimit”.
“Këtë kohë vitin e kaluar, së bashku me liderë të tjerë nga e gjithë bota, qëndrova në Auschwitz-Birkenau. Mes mbetjeve të një mizorie të paimagjinueshme, një mesazh jehonte me forcë të veçantë: e kaluara jonë nuk duhet të bëhet kurrë e ardhmja e fëmijëve tanë. Ky është një mesazh që duhet të udhëheqë ndërgjegjen tonë, zgjedhjet tona dhe veprimet tona. Në Auschwitz kujtuam miliona fëmijë, gra dhe burra të pafajshëm që u bënë viktima të një urrejtjeje aq të thellë sa synonte të fshinte vetë ekzistencën e tyre”, tha ajo, raporton Kosovapress.
E para e vendit theksoi se Kosova e ka përjetuar spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit.
“Kosova është një vend që e ka kuptuar në mënyrë shumë personale se çfarë do të thotë të vuash nga përndjekja, spastrimi etnik, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, si dhe gjenocidi. Kjo përvojë e jetuar formëson atë që jemi sot. Prandaj Kosova qëndron fuqishëm dhe pa asnjë mëdyshje kundër antisemitizmit, kundër racizmit dhe kundër çdo forme urrejtjeje”, shtoi Osmani.
Përkujtimi i kësaj dite, Osmani shtoi se është përgjegjësi, teksa theksoi se “Kosova e ka shndërruar këtë parim në veprim konkret”.
Në kujtim të gjashtë milionë hebrenjve të vrarë në Holokaust, janë ndezur gjashtë qirinj.