I akuzuari Naim Murseli ka deklaruar në seancën e së enjtes se marrëdhënia e tij me të ndjerën Liridona Ademaj ka qenë e mirë dhe se gjatë martesës së tyre nuk ka ushtruar asnjëherë dhunë ndaj saj, duke dhënë detaje për jetën familjare, bizneset në Suedi e Kosovë dhe policën e sigurimit, raporton Ekonomia Online.
Gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues, Murseli u pyet nga avokati mbrojtës, Shemsedin Piraj, lidhur me raportet me bashkëshorten e ndjerë, financat dhe jetën e tyre të përbashkët në vitet e fundit.
“A mundesh me shpjegu çështjen e raporteve me të ndjerën Liridonën?”, pyeti ai.
“Unë me Liridonën jam fejuar në vitin 2010 më 21 prill dhe jemi martuar më 11 dhjetor 2011. Që i bie kam pas 12 vite martesë me Liridonën dhe si rezultat i martesës kemi dy fëmijë. Marrëdhënia ime me Liridonën ka qenë shumë e mirë e lumtur. Liridona ka qenë një grua e mrekullueshme, një nënë shumë e përkushtuar edhe një bashkëshorte e devotshme. Ne kemi jetuar në Suedi ku Liridona pas tri vitesh qëndrim është bërë nënshtetase suedeze. 5 vitet e para me Liridonën kanë qenë, dëshira e saj e madhe ishte që të bëhet nënë, kishte probleme me ngel shtatzënë, 5 vitet e para jam marrë me të nëpër spitale, më në fund në 2017 ju realizua ëndrra. Pas fëmijës së parë pas 1 viti e gjysmë dashti Zoti edhe fëmija e dytë. Kemi jetuar së bashku krejt kohën, nuk ka pasur asnjëherë ndonjë ngjarje a diçka të tillë, çdo gjë ka qenë në rregull. Siç ka thënë edhe dëshmitari, kur pyeta Leonard se a është ankuar Liridona, ka thënë jo. Kjo është e vërteta sepse nuk ka pasur pse të ankohet se asnjëherë në jetën time nuk kam ushtruar dhunë ose diçka të tillë.”
Ai tregoi edhe që sipas tij binzesin dhe të hyrat financiare për të dhe të ndjerën Liridona Ademajn.
“Në Suedi jetoj nga viti mars 92, në Suedi kam pas një restorant dhe kompani pastrimi që ka qenë e përbashkët me Liridonën, të ardhura kemi pasur të mjaftueshme. Në vit kam pasur të hyra 45 mijë euro, Liridona 20 mijë euro. Shërbime marketingu online për bizneset.”
Avokati Piraj e ka pyetur se çka ka në policinë e sigurimëve dhe sa mjete ka pasur.
E për këtë Muresli thotë se çdo shtetas i Suedisë ka policë të sigurimit.
“Çdo shtetas i Suedisë ka polici të sigurimit, edhe shtëpiak edhe jetësor. Në këtë rast edhe unë e kam pas, sikur Liridona të njëjtën, shumë këtë ma ka pohuar edhe prokurorja nga informatat që i ka marrë. Është krejt normale me pas polici të sigurimit. Ajo shumë 260 mijë euro nuk është shuma maksimale e policës së sigurimit, ajo mund të rritet deri në 600 mijë. Ajo është individuale”, tha Murseli.
Murseli insistonte në atë se nuk kishte grindje asnjëherë me Ademajn.
“Si çdo çift nuk them që martesa jonë ka qenë pa asnjë grindje ndonjëherë, por jo deri në ftohje të marrëdhënieve. Ka qenë çdo gjë në rregull”, tha Murseli.
Murseli më tej tregon edhe për biznesin e hapur në Kosovë dhe ndërtimin e shtëpisë për të cilën thotë që në qershor të 2023 erdhën në Kosovë bashkë me Ademajn me idenë që ajo të bëhet bashkëpronare e shtëpisë.
“Unë në Kosovë përveç bizneseve në Suedi kam hapur biznes edhe në Kosovë. Edhe sot jam aksionar, kërko SHPK. Dhe me Liridonën së bashku e kemi blerë një shtëpi në Bernicë ku Liridona në qershor të 2023 ka ardhur enkas nga Suedia për t’u bërë bashkëpronare të asaj shtëpie që e kam blerë më të dhe nga qershori deri në nëntor jam marrë vazhdimisht me atë shtëpi që të bëhet gati për banim. Aty banuam së bashku deri në ditën kritike”, u shpreh ndër tjerash ai.
Murseli gjatë dëshmisë ka folur edhe për marrëdhënien mes dy të akuzuarve të tjerë.
“Sa i përket marrëdhënieve me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën. Unë atë ditë që u shfaqën ato video është hera e parë që kam nejtë me Granit Plavën vetë pa Kushtrim Kokallën. Nuk kam pasur miqësi me Granitin, nuk ia njoh as prindin, nuk i kam takuar kurrë. Kemi folur për shëtitje, me dalë”, tha ai.
Avokati ka pyetur në lidhje edhe me armën që është blerë e që është bërë vrasja.
“Një revole që është blerë, a mundesh me tregua se çka është biseduar për atë revole dhe cili ka qenë motivi për blerjen e saj”, pyeti ai.
Murseli shpjegoi arsyen e blerjes së armës.
“Ajo armë është blerë në mënyrë spontane për shitje nga ana e Granit Plavës. Unë e disha që ai i ka kushtet më të rënda ekonomike dhe kur shitësi i armës na ofroi për shitje, Graniti ishte interesuar dhe tha se këtë e shes unë të nesërmen dyfish. Për këtë arsye është blerë ajo armë. Shitësin nuk e kam njohur dhe nuk e kam takuar më herët. Unë kurrë nuk i kam dashur armët, edhe Leonardi mundet me vërtetuar se s’kam qenë i interesuar pas armëve”, tha ai.
“Unë kur kam shkuar në Ento Kuqa me Liridonën dhe fëmijët asnjëherë s’e kam parë Granit Plavën, as prapa me makinë as fizikisht. Ne kemi shkuar për darkë, edhe një javë më herët kemi qenë aty me prindërit e Liridonës. Ju betohem, i kam thënë Liridonës a shkojmë në Prishtina Mall, ajo ka thënë jo se jam lodhur dhe nga aty jemi nisur për shtëpi. Liridona tri ditë para asaj darke ka qenë në shtëpinë e saj. Kur isha në Gjakovë, Liridona më thirr pa ndonjë paralajmërim, më thotë jam në shtëpi, pa prit më thotë ku je. Ajo thotë kam ardhur në Prishtinë. Unë i kam thënë Granitit se duhet mu kthy në Prishtinë se më ka ardhur edhe gruaja edhe fëmija. Edhe Graniti më ka thënë se edhe ai ka me shku në Prishtinë. Kurrë vrasjen e gruas sime se kam me duar. Familja Ademaj më njeh shumë mirë, sepse edhe tezja ime është e martuar aty. E dinë shumë mirë se nuk kam qenë problematik, kriminel, drogirash, as cigaren s’e pi.”
“Nuk ka asnjë marrëveshje për me vra Liridonën”, tha ai.
