Ndonëse i ashtuquajtur projekt i dronëve ishte prezantuar qysh më herët, tek tani është raportuar se droni “Skifter” nuk është real dhe se për këtë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj në një konferencë për media akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti se propagandoi me këtë dhe se me këtë dështoi ai bashkë me ekipen për ta faktuar vërtetësinë e saj, raporton Ekonomia Online.
Ajo u pyet se pse ajo si një ekspert e sigurisë, por dhe PDK nuk kanë reaguar para se të raportohej në media për vërtetësinë e sa. Këtu ajo tha se nuk janë sistemi i drejtësisë, por megjithatë për çështjen e dronëve por edhe për fabrikën e municioneve kishte ngritur zërin por edhe kishte folur në debate ku në një nga to ishte edhe një nga kandidatët e VV-së.
Kabashi – Ramaj theksoi se Kurti ka politizuar gjithmonë me sektorin e sigurisë.
“Ne nuk jemi sistemi i drejtësisë. Pse jo më herët? Ne gjithmonë kemi ngritur çështjen e politizimit të sektorit të sigurisë kombëtare dhe të mbrojtjes nga ish-kryeministri Kurti. Kjo është e dokumentuar me video dhe në shumë intervista e kemi përmendur. Në fushatën e shkurtit ai e ka politizuar FSK-në duke bërë video elektorale në një dhomë ku janë montuar armët dhe municioni në të njëjtin vend, gjë që është komplet kundër standardeve. Këtë e kam ngritur disa herë. Çështja e fabrikës së municioneve: në një prej intervistave të fundit, bile edhe në debat, kam qenë me një kandidat të VV-së kur e kam ngritur çështjen e fabrikës së municioneve dhe dyshimet se nuk është duke u bërë sipas standardeve, sepse ekziston një proces i definuar. Nuk kemi nevojë të shpikim. Vendet e zhvilluara, partnerët tanë strategjikë, së pari e rregullojnë me ligj industrinë e mbrojtjes dhe më pas ka shumë standarde teknike dhe faza nëpër të cilat duhet të kalohet. Është një proces shumë kompleks dhe merr kohë. Nuk është se nuk e kemi ngritur më herët dhe po vazhdojmë ta ngremë, duke shpresuar që përfundimisht të ndalojmë politizimin e sektorit vital të shtetit”, tha ajo.
Kabashi – Ramaj përmendi dy nga problemet për çështjen e dronit që ngriti reagime të mëdha.
“Sa i përket dronëve, ne mirëpresim çdo iniciativë inovative nga sektori privat në Kosovë, mirëpo çështja që po ngremë ka të bëjë me ish-kryeministrin dhe këtu janë dy probleme të mëdha. Problemi i parë është se si ka përkrahur një iniciativë pa e verifikuar vërtetësinë e saj dhe nëse dronët ushtarakë me të vërtetë janë funksionalë dhe operativë, ashtu siç ai ka pretenduar dhe deklaruar në qëndrimet e tij. Por problemi tjetër, edhe më i madh, është se si ka propaganduar një rast të tillë për t’i mashtruar qytetarët, duke i bërë të mendojnë se sektori i industrisë së mbrojtjes në Kosovë është shumë më i zhvilluar sesa që në fakt është. Për besë, jo. Nëse shkoni dhe i shihni të gjitha paraqitjet e mia dhe çështjet që kemi ngritur si PDK, ato janë konsistente dhe kemi thënë vazhdimisht se sektori i sigurisë kombëtare dhe i mbrojtjes është duke u politizuar. Projektligjet dhe strategjia kombëtare e sigurisë kanë pasur probleme thelbësore përmbajtjesore, nuk i kanë ndjekur procedurat se si duhet të draftohen, nuk kanë pasur buxhet dhe janë përdorur kryekëput për propagandë, duke tjetërsuar komplet proceset shtetërore”, theksoi ajo.
Ajo thotë se nuk guxon të marrë nuanca politike sektori i sigurisë.
“Sektori i sigurisë dhe i mbrojtjes, për dallim nga sektorët e tjerë, nuk guxon të ketë kurrë nuanca politike dhe këtë po e themi qartë. Shqetësimi ynë nuk është te sektori privat; ata kanë të drejtë të zhvillohen, të kërkojnë përkrahje, fonde e të tjera. Ne nuk po merremi me atë pjesë, por me çështjen se si një kryeministër ka propaganduar dhe se si ka dështuar ekipi i tij të verifikojë vërtetësinë e projektit: a është ky dron ushtarak siç pretendohet, a është operacional dhe a i ka kaluar standardet. Ata kanë dështuar komplet. Ose kanë dështuar, ose e kanë ditur dhe nuk e kanë treguar. Kjo nuk është çështje për ne. Çështja është se kryeministri ka bërë propagandë me diçka të pavërtetë në fushatë elektorale, i ka lajthitur qytetarët dhe e ka politizuar një sektor që nuk guxon të politizohet”, nënvizoi ajo.
