Kurti për Bordin e Paqes: Kudo që ka nevojë për paqen në botë, ne dëshirojmë që të kontribuojmë

Prishtinë | 30 Jan 2026 | 12:03 | Nga Gzim Mujaj

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se Kosova ka shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën dhe ka kërkuar përfshirje edhe në strukturat politike vendimmarrëse të kësaj force, duke theksuar se procesi do të vazhdojë në fazat e ardhshme.

Kurti tha se Kosova është përfaqësuar në konferencën në Doha nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtënant Bashkim Jashari, ndërsa shtoi se FSK-ja tashmë njihet për kapacitetet në kërkim-shpëtim dhe deminim, por edhe për kontribute të tjera në misione ndërkombëtare.

 “Ne kemi filluar së pari me pjesëmarrjen tonë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën. Dhe aty, unë.. e di që Kosova është përfaqësuar në konferencën në Doha, në Katar, nga Gjeneral-Lejtënant, Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari. Pra, ne kemi shprehur si Republikë e Kosovës, gatishmërinë tonë që të marrim pjesë në këtë Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare. Ku, natyrisht që FSK-ja është e mirënjohur tashmë për kërkim-shpëtim dhe për deminim, por jo vetëm. Meqenëse do të marrim pjesë në Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare, ne kemi qenë të interesuar që natyrisht të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike për atë Forcë Stabilizuese Ndërkombëtare.

Tash, procesi do të ecë më tutje”, tha ai.

 “Unë jam Kryeministër në detyrë, nuk jam ende në mandatin tim të tretë, por kudo që ka nevojë për paqen në botë, ne dëshirojmë që të kontribuojmë, sepse kemi qenë përfitues të paqes në vendin tonë nëpërmjet forcave ndërkombëtare, andaj tash duam që të marrim pjesë me forcat tona dhe kapacitetet tona edhe në paqe, në vende të ndryshme në botë. Sa i përket Gazës, ju e dini që ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro si qeveri dhe ky është një proces i cili do të vazhdojë edhe në vijim”, tha ai.

Të ngjashme