Prokuroria Speciale ka konfirmuar se ka intervistuar edhe deputeten e zgjedhur të Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, në lidhje me grantet e Ministrisë së Bujqësisë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta ka konfirmuar se Pacolli është intervistuar në cilësinë e të pandehurës.
Pacolli ka qenë Kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi.
Në lidhje me çështjen e granteve, në cilësinë e të pandehurit sot është intervistuar edhe ish-Ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
“Ju njoftojmë se z. Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, tha Luta për Reporteri.net.
Peci më vonë në një reagim tha se ka qenë në Prokurorinë Speciale të premten për të dhënë sqarimet lidhur me grantet në Ministri.
Ai ka thënë se shpejt do t’i drejtohet organeve të drejtësisë me kallëzim penal kundër kallëzimit penal të Paris Gurit të LDK-së.
“Përmes këtij postimi, ju informoj se sot isha në Prokurori për të dhënë përgjigjet dhe sqarimet e mia në kallëzimin penal të ngritur nga LDK-ja përmes ish-deputetit të saj të zgjedhur nga votat e vjedhura të mërgatës, Paris Guri. Në prokurori, sikur gjithmonë gjatë jetës sime, isha transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me shpjegimet rreth çështjes dhe rolit që kam pasur si Ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, ka shkruar në Facebook.
Po sot, edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia konfirmoi se është intervistuar nga Prokuroria Speciale. Por i njëjti nuk dha detaje se në çfarë cilësie dhe për çfarë rasti është marrë në pyetje.