Elezi: Sot përmbyllet rinumërimi, rezultatet përfundimtare shpallen së shpejti

Prishtinë | 30 Jan 2026 | 17:28 | Nga Ekonomia Online

Procesi i rinumërimit të vendvotimeve po shkon drejt përfundimit dhe pritet të mbyllet gjatë ditës së sotme. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në një intervistë për Ekonomia Online.

Sipas Elezit, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke u zhvilluar dita e fundit e rinumërimit për vendvotimet për të cilat KQZ kishte marrë vendim më herët.

“Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar dita e fundit e procesit të rinumërimit të vendvotimeve për të cilat është vendosur më herët nga ana e KQZ-së. Në proces të rinumërimit kanë mbetur të përfshihen më pak se 60 vendvotime që iu takojnë tri komunave: Prishtinë, Suharekë dhe Shtërpcë,” ka deklaruar Elezi.

Ai ka theksuar se i gjithë procesi pritet të përfundojë brenda ditës, ndërsa sa i përket rezultateve përfundimtare, KQZ do të veprojë sipas procedurave ligjore.

“Procesi i rinumërimit do të përmbyllet gjatë ditës së sotme, ndërkaq lidhur me rezultatet përfundimtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në ndërkohë do të caktojë mbledhjen e radhës, ku në rend të ditës do të jetë shpallja e rezultateve përfundimtare dhe për këtë do të njoftojmë me kohë,” ka shtuar ai.

KQZ pritet që pas përmbylljes së rinumërimit të njoftojë opinionin publik për hapat e mëtejmë drejt shpalljes zyrtare të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Të ngjashme