OKB rrezikon “kolaps financiar”, paralajmëron Guterres

U.N. Secretary-General Antonio Guterres speaks during the 15th ASEAN United Nations (UN) Summit, as part of the 47th ASEAN Summit in Kuala Lumpur, Monday, Oct. 27, 2025. (Chalinee Thirasupa/Pool Photo via AP)
Prishtinë | 30 Jan 2026 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Kombeve të Bashkuara u ka thënë shteteve anëtare se organizata po përballet me rrezikun e një “kolapsi të menjëhershëm financiar”, duke përmendur pagesat e papaguara dhe një rregull buxhetor që e detyron OKB-në të kthejë mjetet e pashpenzuara.

Kështu thuhet në një letër që Reuters ka parë të premten.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka folur shpesh për përkeqësimin e krizës së likuiditetit, por ky është paralajmërimi i tij më i ashpër deri tani, në një kohë kur kontribuesi kryesor – ShBA-ja – është tërhequr nga multilateralizmi në disa fronte, transmeton Klankosova.tv.

“Kriza po thellohet, duke rrezikuar zbatimin e programeve dhe duke kërcënuar me kolaps financiar. Dhe situata do të përkeqësohet edhe më tej në të ardhmen e afërt”, shkruan Guterres në letrën drejtuar ambasadorëve, të datës 28 janar.

ShBA-ja ka shkurtuar financimin vullnetar për agjencitë e OKB-së dhe ka refuzuar të kryejë pagesat e detyrueshme për buxhetin e rregullt dhe atë të paqeruajtjes. Presidenti amerikan Donald Trump e ka përshkruar OKB-në si një organizatë me “potencial të madh”, por që sipas tij nuk po e përmbush atë, ndërsa ka nisur një nismë të quajtur “Board of Peace”, e cila, sipas kritikëve, mund të minojë strukturat ekzistuese ndërkombëtare.

OKB-ja, e themeluar në vitin 1945, ka 193 shtete anëtare dhe punon për ruajtjen e paqes e sigurisë ndërkombëtare, promovimin e të drejtave të njeriut, zhvillimin social e ekonomik dhe koordinimin e ndihmave humanitare.

Në letrën e tij, Guterres shkruan se “vendimet për të mos respektuar kontributet e vlerësuara që financojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të rregullt tani janë shpallur zyrtarisht”. Ai nuk ka treguar se cilat shtete ka pasur parasysh, ndërsa zëdhënësi i OKB-së nuk ishte i disponueshëm për koment.

Sipas rregullave të OKB-së, kontributet përcaktohen sipas madhësisë së ekonomisë së secilit shtet anëtar. ShBA-ja mbulon 22% të buxhetit kryesor, e ndjekur nga Kina me 20%.

Por në fund të vitit 2025, Guterres thotë se ka pasur 1.57 miliardë dollarë borxhe të papaguara, pa i përmendur shtetet përkatëse.

“O të gjitha shtetet anëtare i respektojnë detyrimet dhe paguajnë plotësisht e me kohë, ose shtetet duhet të rishikojnë në mënyrë thelbësore rregullat tona financiare për të shmangur një kolaps të afërt financiar”, thekson ai.

Guterres vitin e kaluar nisi një grup reformash, të njohur si UN80, që synon uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit. Në këtë kuadër, shtetet u dakorduan të ulin buxhetin e vitit 2026 me rreth 7%, duke e çuar atë në 3.45 miliardë dollarë.

Megjithatë, Guterres paralajmëron se organizata mund të mbetet pa para deri në korrik.

Një nga problemet kryesore është një rregull që sot konsiderohet i vjetëruar, sipas të cilit OKB-ja duhet t’u kthejë shteteve qindra miliona dollarë fonde të pashpenzuara çdo vit.

“Me fjalë të tjera, jemi të bllokuar në një cikël kafkaesk, duke pritur të kthejmë para që nuk ekzistojnë”, shkruan Guterres, duke iu referuar shkrimtarit Franz Kafka, i njohur për përshkrimin e proceseve burokratike shtypëse.

Të ngjashme