Kontingjenti i FSK-së me kapacitete mjekësore ROL 1, që nga 24 janari i është bashkuar vendeve partnere të NATO-s, në Ushtrimin Fushor “KFOR 36”, që po realizohet në JMRC Hohenfels, Gjermani.
FSK, sipas njoftimit zyrtar, në ushtrim është duke ofruar mbështetje reale mjekësore për të gjitha ushtritë pjesëmarrëse, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin mjekësor të Ushtrisë Amerikane, transmeton Klankosova.tv.
Po ashtu, në njoftim theksohet se Forca e Sigurisë së Kosovës është duke marrë pjesë në trajnime të fushave specialistike, si dhe është përfshirë në skenarët e ushtrimit “KFOR 36”, me qëllim të shkëmbimit të përvojave profesionale.
“Gjatë kësaj kohe, janë duke realizuar trajnime dhe duke ofruar ligjërata në fushën e mjekësisë në bashkëpunim me personelin e ushtrisë amerikane për pjesëmarrësit e ushtrive partnere në ushtrim. Ligjëratat janë të fokusuara në temat: Prezantimi i PSO ROL 1 (Nivelin bazë të mbështetjes mjekësore në operacione ushtarake), Evakuimi mjekësor, Combat Life Saver (CLS), Shëndeti mendor, Menaxhimi i lëndimeve dhe qepja e plagëve (sutura), Menaxhimi i traumave të kokës, Marrja e mostrave të gjakut për laborator emergjent dhe vendosja e vijës venoze”.
“Ushtarakët tanë po tregojnë disiplinë, profesionalizëm, ndërveprueshmëri me partnerët për të shërbyer paqes dhe sigurisë globale”, thuhet në njoftim.