KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Vetëvendosje del e para me 51.10%

Prishtinë | 31 Jan 2026 | 10:27 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, duke konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 51.10 për qind të votave, raporton Ekonomia Online.

Pas vendimit për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur mbrëmë procesi i rinumërimit të 2,557 fletëvotimeve.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë konferencës për media prezantoi rezultatet sipas subjekteve politike dhe numrin e ulëseve të fituara në Kuvend.

“Rezultaet e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, është si në vijim: Lëvizja Vetëvendosje 51.10%, Partia Demokratike e Kosovës 20.19%, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50%, Srpska Lista 4.49%, Nisma Socialdemokrate 1.59%, Kosovah Demokratik Türk Partisi 0.57%, Za Slobodu Pravdu i Opstanak 0.51%, Koalicija Vakat 0.42%, Nova Demokratska Stranka 0.41%, Inicijativa E Re Demokratike e Kosovës 0.21%, Socijal Demokratska Unija 0.27%, Partia Liberale Egjiptiane 0.24%, P-S-A 0.22%, P-A-I P-D-A-K L-P-P 0.21%, Jedinstvena Goranska Partija 0.16%, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës 0.12%, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 0.10%. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 0.10%, Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar 0.10%, Fjala 0.09%, Inisitiativa Qytetare për Kosovë 0.08%, Kosovski Savez 0.06%, Nexhmedin Sejdillar 0.03%, Kosovaki Nevi Romani Partia 0.02%”, tha ai.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, ka shtruar çështjen e kohës për ankesa për procesin e rinumërimit në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

Ai pyeti nëse “publikimi i rezultateve përfundimtare është në përputhje me ligjin dhe rregullat zgjedhore të KQZ-së, duke e ditur që në njëfarë forme po i mohojmë të drejtën e ankesës subjekteve politike, kandidatëve e qytetarëve në raport me administrimin e procesit për ditën e djeshme, pra që e kanë një afat deri në ditën e nesërme”.

KQZ u mblodh sot për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve 28 dhjetorit, ndërsa mbrëmë përfundoi rinumërimi i votave të kandidatëve për deputetë në Qendrën e Numërimit të Rezultateve.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se s’ka pasë asnjë vërejtje nga asnjë vëhzgues për procesin e rinumërimit dhe tha se e drejta e ankesës bëhet 48 orë nga shkelja e supozuar.

“I gjithë procesi i rinumërimit ka zgjatur 18 ditë dhe kanë mbetur edhe dy ditë të kaluara që dikush mund të parashtrojë dikush ankesë, por asnjë vërejtje gjatë këtij procesi të rinumërimit nuk është dhënë.  Nëse e prolongojmë ende, shumë procese shtyhen më vonë, pra s’mund t’i arrijmë disa afate. Ne s’e mohojmë të drejtën e ankesës sepse pas shpalljes së rezultateve palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në PZAP”.

Të ngjashme