IKD: Kuvendi i ri të marrë urgjentisht vendime kyçe për stabilitetin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve

Prishtinë | 01 Shk 2026 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Pas konstituimit të legjislaturës së re, Kuvendi i Kosovës duhet të adresojë një sërë vendimesh urgjente që janë vendimtare për funksionimin normal të rendit kushtetues dhe stabilitetin e institucioneve, vlerëson Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Sipas IKD-së, këto vendime nuk përbëjnë vetëm obligime politike, por janë detyrime të drejtpërdrejta kushtetuese dhe ligjore që kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm nga deputetët e rinj.

“Këto vendime nuk janë vetëm obligime politike, por detyrime të drejtpërdrejta kushtetuese dhe ligjore, të cilat kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Instituti thekson se një nga prioritetet kryesore të Kuvendit duhet të jetë miratimi i Ligjit për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, si dhe ratifikimi i marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare.

“Prioritet kyç mbetet miratimi i Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026, ratifikimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes në vlerë prej 880 milionë euro, si dhe ratifikimi i marrëveshjes me Bankën Botërore në vlerë prej 90 milionë euro”, thekson IKD.

Sipas institutit, këto vendime janë thelbësore për avancimin e interesave strategjike të vendit, përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe funksionimin financiar të shtetit.

“Këto vendime janë të domosdoshme për avansimin e interesave strategjike nacionale, zbatimin e obligimeve ndërkombëtare, funksionimin financiar të shtetit, zbatimin e politikave publike dhe shmangien e pasigurisë institucionale”, thuhet më tej në reagim.

IKD po ashtu vlerëson se Kuvendi duhet të sigurojë financimin e Radiotelevizionit të Kosovës dhe mbështetjen financiare për komunat, si pjesë e obligimeve ligjore dhe politike për garantimin e shërbimeve publike.

“Kuvendi duhet të sigurojë financimin e RTK-së dhe mbështetjen financiare për komunat, për të garantuar shërbimet publike dhe funksionimin normal të komunave në të gjithë territorin e vendit”, thekson IKD.

Një tjetër prioritet i rëndësishëm, sipas institutit, mbetet zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë atë për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

“Zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë aktgjykimin për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe të drejtat e mbi 94 mijë zyrtarëve publikë, është obligim kushtetues. Moszbatimi i këtyre vendimeve cenon drejtpërdrejt parimin e sundimit të ligjit dhe besimin e qytetarëve në rendin kushtetues”, vlerëson IKD.

Instituti i Kosovës për Drejtësi kërkon që legjislatura e re të veprojë me urgjencë dhe përgjegjësi, duke ç’bllokuar proceset kyçe dhe forcuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit.

“Legjislatura e re duhet të veprojë me urgjencë, përgjegjësi dhe transparencë, duke ç’bllokuar proceset kyçe, zbatuar aktgjykimet kushtetuese dhe forcuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit, në funksion të garantimit të rendit demokratik dhe interesit publik”, thuhet në reagimt të IKD-së.

Të ngjashme