Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.
“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Por, gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjithë partive, përveç Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Tre anëtarë të KQZ-së votuan për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë abstenuan.
Lista Serbe më 2 shkurt është ankuar në Panelin Zgjedhor për Aneksa dhe Parashtresa për këtë vendim të KQZ-së.
Igor Simiq nga ky subjekt tha se vendimi është i “paligjshëm, antiserb dhe diskriminues”, duke shtuar se pret që PZAP ta “shfuqizojë atë”.
Ndërkaq kryediplomati serb, Marko Gjuriq, e ka dënuar ashpër vendimin e institucionit kryesor për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë.
Gjuriq e ka cilësuar këtë vendim si një tjetër sulm serioz ndaj të drejtave të popullit serb në Kosovë.
”Në vend të shtensionimit dhe rikthimit të besimit, ne jemi dëshmitarë të hapave të rinj që thellojnë mosbesimin dhe konfirmojnë se heqja sistematike e të drejtës së votës së serbëve mbetet praktikë dhe jo përjashtim”, shkroi Gjuriq në X.
Gjatë mbledhjes, vetë kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, e cilësoi si “të pakuptimtë” mosmiratimin e përbërjes së Listës Serbe nga anëtarët e Komisionit, duke argumentuar se kishte kaluar afati për ankesa pasi votat veçse janë rinumëruar dhe, sipas ligjeve, nuk parashihen ankesa për një proces të tillë.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), deklaroi se KQZ-ja kreu shkelje, fillimisht duke shpallur rezultate pa u konsumuar afati ligjor për ankesa, dhe më pas duke shpallur rezultate “të pjesshme”.