Gjykimi i nisur në prill të 2023 ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit tashmë ka arritur në fazën e fundit.
Nga e hëna tjetër, e deri në mesin e shkurtit, palët do të nisin me fjalët e fundit në këtë proces, para se trupi gjykues të shpallë vendimit për këtë rast, që është më i madhi në Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë.
Të parët, do të nisin Prokuroria që ka në dispozicion 8 orë, më pas mbrojtja e viktimave 3 orë, duke vazhduar me ekipet mbrojtëse të të akuzuarve nga 4 orë e gjysmë. Në fund, edhe vet ish-krerët e UÇK-së është paraparë të flasin nëse duan, secili i akuzuar nga 20 minuta.
Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi thotë se kjo është fazë e rëndësishme, meqë bëhet elaborim i provave që janë administruar në proces.
“Shpresojmë që duke u nisur nga provat që i ka ofruar mbrojtja e liderëve tanë në Hagë sic kanë qenë prova të dëshmitarëve tepër kredibil të dëshmitarëve që janë me ndikim në nivel botëror sic janë Ëesly Clark, James Rubin, që kanë pas një përgjegjësi të lartë në shtetet e tyre të vijnë dhe të dëshmojnë në pafajësinë e liderëve tanë shpresojmë dhe dëshirojmë që të ndodhë më e mira, që gjykata të merr aktgjykim lirues mirëpo prap mandati është i tyre do vendosin.”, ka thënë Fehmije Gashi-Bytyqi– Avokate.
Ndërkohë, Amer Aliaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare shpreson që trupi gjykues të mos marr shumë kohë deri në marrjen e vendimit.
“Kjo është faza e fundit e shqyrtimit kryesor pasi të përfundojnë fjalët përfundimtare trupi gjykues ka afatet ligjore për shpalljen e aktgjykimit, ato afate janë që brenda 3 muajve të shpallet aktgjykimi dhe në rastet kur trupo gjykues i nevojitet kohë në rastet vuliminoze mundet me kerku plus 2 muaj shtesë, pra që nga përfundimi i fjalëve përfundimtare prej 1 muaj deri në 5 muaj mund të pritet shpallja e aktgjykimit në këtë rast.”, ka thënë Amer Aliaj – FDH.
Në Dhomat e Specializuara për Kosovën, kanë thënë se përgatitjet për deklaratat përmbyllëse janë në vijim dhe se orari për palët mund të ndryshojë nëse ndonjëra palë ka nevojë për më pak ose më shumë kohë se sa është e parashikuar.
Ish-krerët e UÇK-së, nga viti 2020 janë nën masën e paraburgimit, për akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit./dukagjini