Rasti i vrasjes së argjentinases, Prokuroria shfaq fotografi nga dhoma e hotelit, Nika mohon përplasjen fizike

Prishtinë | 03 Shk 2026 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë seancës gjyqësore ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë Kosovë, prokuroria ka paraqitur fotografi nga dhoma e hotelit ku kishin qëndruar, duke theksuar se nga pamjet shihej një ambient i çrregulluar, me sende të zhvendosura dhe elemente të thyera, raporton Ekonomia Online.

Prokurori Armend Hamiti, duke iu referuar fotove, tha se dhoma shfaqej me njolla dhe dëmtime, ndërsa e pyeti të akuzuarin se si kishin ndodhur thyerjet dhe zhvendosjet e objekteve, duke e sfiduar versionin e tij të ngjarjes.

“Shihet qartë se dhoma është e çrregulluar me gjëra të zhvendosura edhe elemente të thyera. Duke parë këto pamje, qysh kanë ndodhur ato thyerje, ato zhvendosje në dhomë. Qysh kanë ndodhur këto, në momentin kur ia ke kapur duart apo?”, pyeti prokurori.

Nika u përgjigj: “Kanë ndodhur kur ka fjetur ose më parë, sepse ne kemi qenë në hotel dhe nuk e kemi rregulluar. Ato thyerje që shihen aty të gjësendeve nga ana ime nuk kanë ndodhur”.

Në vijim të seancës, Hamiti e pyeti edhe për një patikë që shihej në fotografi, ndërsa Nika deklaroi: “E Maria Klarës”.

I pyetur nëse një xham statsi mund të bie pa forcë, i akuzuari u përgjigj: “As me veprim as pa veprim nuk guxon me ra”.

Më herët gjatë marrjes në pyetje, prokurori kishte kërkuar sqarime për raportet mes të akuzuarit dhe viktimës para ngjarjes. Ai e pyeti nëse kishte pasur xhelozi apo mosmarrëveshje gjatë ahengut para dasmës apo në veturë.

“Keni shkuar në aheng para dasmës. A ka pasur edhe gjatë këtij ahengu apo ka pasur edhe në veturë?”, pyeti Hamiti.

Nika u përgjigj: “Unë e kam diktuar vetëm në kerr kur është kthyer në hotel, se tërë kohën nuk kam pasur kohë të merrem me të”.

Prokurori e pyeti edhe nëse kjo xhelozi ishte shfaqur më herët në Zvicër, ndërsa i akuzuari tha se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

“Sipas jush, a ka qenë vetëm tension verbal apo edhe dhunë fizike?”, pyeti Hamiti.

Nika u përgjigj: “Shumica verbale, deri në veprimin tim me der aty”.

Në vazhdim, Hamiti e pyeti nëse kishte tentuar ta qetësonte viktimën gjatë përplasjes.

“Aty jam munduar që fillimisht ta qetësoj me fjalë dhe, kur ka filluar që të më qëllojë me duar, e kam afruar afër vetes dhe e kam ulur në tokë, jemi ulur të dy në tokë. Jemi ulur para krevatit të dhomës”, tha ai.

I pyetur nëse kishte pasur dhunë fizike mes tyre, Nika deklaroi: “Në ato momente jo, pastaj kur jemi ngritur që të dy që ishim ulur aty, ja nisi me goditur me duar. Ia kam kthyer shpinën edhe kam prit deri sa të ndalet”.

Ai shtoi se ishte nisur drejt derës për t’u larguar nga hoteli.

“Masi e diktova që u ndal, fillova me ecë ka dera dhe i thash po shkoj në Gllanasell. Nuk e kam parë dhe nuk e di a ka folur diçka. Në atë moment me atë mendim u nisa”, tha ai.

Prokurori e pyeti edhe për momentin kur kishte dëgjuar një krismë.

“Taman kam mbërritur te dera, kam dëgjuar krismën. Sa kam arritur te dera e banjos”, deklaroi Nika.

I pyetur nëse në dhomë kishte qenë ndokush tjetër, ai u përgjigj: “Veç na dy”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Endrit Nika, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me viktimën, me dashje për ta privuar nga jeta, kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur atë nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati i gjashtë.

Si pasojë, viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor, kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Prokuroria vazhdon të mbrojë qëndrimin se Endrit Nika e ka hedhur viktimën nga kati i gjashtë i hotelit, duke e cilësuar rastin si vrasje të kryer me dashje.

Të ngjashme