SHBA-ja rrëzon një dron iranian që iu afrua aeroplanmbajtëses në Detin Arabik

Prishtinë | 03 Shk 2026 | 20:29 | Nga Ekonomia Online

Forcat e armatosura amerikane kanë rrëzuar një mjet ajror iranian që po i afrohej aeroplanmbajtëses USS Lincoln, raporton Reuters.

Incidenti ndodhi në Detin Arabik dhe vjen në një periudhë tensioni të shtuar, me forca të konsiderueshme amerikane të grumbulluara në rajon dhe me Shtëpinë e Bardhë që nuk përjashton plotësisht mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake.

Një zyrtar amerikan bëri të ditur se një avion luftarak amerikan F-16 rrëzoi një Shahed 139 iranian, i cili po i afrohej aeroplanmbajtëses.

Bëhet fjalë për një “dron vetëvrasës”, i pajisur me eksploziv, i cili shkatërron veten duke u përplasur me objektivin. Irani i ka dhënë Rusisë licencën për prodhimin e dronëve Shahed, të cilët Moska i përdor masivisht në luftën në Ukrainë.

Më herët gjatë ditës u raportua se anije luftarake iraniane iu afruan një cisternë amerikane nafte në Ngushticën e Hormuzit dhe i dhanë urdhër të ndalonte.

Sipas Wall Street Journal, gjashtë anije të lehta luftarake iraniane, të armatosura me mitralozë 50 milimetra, iu afruan cisternës teksa ajo po hynte në këtë rrugë detare me rëndësi strategjike. Anijet iraniane i kërkuan cisternës të fikte motorët dhe të përgatitej për hipjen e personelit në bord.

Megjithatë, anija amerikane përshpejtoi dhe më pas u shoqërua nga një anije luftarake amerikane drejt një zone të sigurt.

Për incidentin raportoi edhe shërbimi britanik Maritime Trade Operations, i lidhur me Marinën Mbretërore Britanike. Sipas njoftimit, një grup anijesh të vogla të armatosura tentuan të ndalonin një anije, e cila injoroi kërkesën dhe vijoi lundrimin, pa u specifikuar identiteti i anijeve sulmuese. /Panorama

Të ngjashme