Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Prishtinë ka shpalosur punën vjetore të kësaj drejtorie e ku thotë se fuqia zbuluese e veprave penale për vitin 2025 ka qenë 82.1 për qind, duke nënvizuar këtu edhe fillimin e monitorimit të urdhrave mbrojtës, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se ka pasë rënie të veprave penale me minus 5.90 për qind.
“Në kuadër të punës hetimore gjatë vitit 2025 është ruajtur një nivel i qëndrueshëm i performancës profesionale. Sipas raportit vjetor, fuqia zbuluese e veprave penale për vitin 2025 ka qenë 82.1 për qind, çka reflekton kompleksitetin e rasteve dhe sfidat e reja kriminale. Jemi të vetëdijshëm që përmirësimi është proces i pandalshëm, sepse profesionalizimi nuk është destinacion, por rrugëtim i përditshëm. Një zhvillim i rëndësishëm gjatë vitit 2025 ka qenë fillimi i monitorimit të urdhrave mbrojtës, me ç’rast në kuadër të DPR në Prishtinë janë përfshirë 86 persona në 43 raste. Ky mekanizëm është një hap i madh në mbrojtjen e viktimave dhe forcimin e sigurisë sociale, sepse një shoqëri matet nga mënyra sesi i mbron të pambrojturit…Ky është rezultat i punës së përbashkët, siguria është arritje kolektive jo insitucionale”, tha ai.
Janë shënuar rritje në rastet e armbajtëseve pa leje por edhe të narkotikëve.
“Rastet e raportuara gjatë vitit 2024 kanë qenë 19 mijë e 874 raste, ndërsa në vitin 2025 19 mijë e 941 raste. Shprehur në përqindje, 0.30 për qind kemi pasur një ngritje, por ngritja e numrit të rasteve nuk determinon edhe rritjen e kriminalitetit, por njëkohësisht paraqet edhe aktivitete policore të cilat, me aktivitetet e tyre në terren, kanë arritur që të identifikojnë dhe zbulojnë rastet dhe kryesit e tyre. Kemi ngritje të armëmbajtjeve pa leje, posedimit të narkotikëve dhe ato janë raste të cilat janë identifikuar, zbuluar e hetuar nga zyrtarët policorë dhe që ka determinuar pak edhe rritjen e rasteve në përgjithësi”, nënvizoi ai.
E disa nga veprat penale më serioze, ai përmendi rastet e vrasjeve.
“Disa nga veprat penale më serioze: vrasje – vrasje e rëndë nga 8 në 6, minus 25 për qind. Do të donim që mos të kishim asnjë vrasje, por ja që ka ndodhur. Lëndim i rëndë trupor, kemi një rritje nga 77 raste në 83 raste, për 7.8 për qind ngritje. Lëndim i lehtë trupor po ashtu në ngritje 6.5 për qind. Te veprat penale kundër pasurisë, në vjedhje 5.3 për qind kemi ngritje. Vjedhje e rëndë minus 3.1 për qind. Grabitjet minus 10.5 për qind. Dhuna në familje minus 1.9 për qind. Posedim dhe shitblerje të narkotikëve nga 613 në 775 raste, apo ngritje në 23.5 për qind”, tha ai.
Kurse janë shënuar 10 mijë e 338 aksidente, persona të lënduar 5 mijë e 866, aksidente me lëndime 3 mijë e 235, aksidente me dëme materiale 7 mijë e 75. Me fatalitet 28 persona, të vdekur 29.
Arrestimet sipas autorizimeve policore gjatë vitit 2024 ishin 2 mijë e 718 arrestime, në 2025-ën 3 mijë e 377 raste apo ngritje 24,3 për qind. Tiketat e shqiptuara në ngritje prej 8.70 për qind nga 212 mijë e 931 në 231 mijë e 478.
