Ademi pa kundërkandidat, Duka: Fakti që asambleja po zhvillohet sipas statutit, tregon stabilitet institucional të FFK-së

Prishtinë | 05 Shk 2026 | 12:12 | Nga Ekonomia Online

Është mbledhur Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e ku do të bëhet zgjedhje e kryetarit, e ku Agim Ademi po e synon edhe mandatin e tretë, e pa asnjë kundërkandidat, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse asnjë kandidat kundër, megjithatë, Armand Duka nga UEFA, ka thënë se vetë fakti që Asambleja po zhvillohet në përputhje me statutin, rregullat dhe procedurat demokratike, tregon stabilitet institucional të FFK-së.

“Keni për të bërë dhe zgjedhjen e presidentit tuaj, konfirmimin e komitetit ekzekutiv të zgjedhur nga shoqatat rajonale. Proceset zgjedhore janë gjithmonë momente themelore dhe të rëndësishme për çdo federatë, sepse ri konfirmojnë legjitimitetin, unitetin dhe përgjegjësinë e institucioneve futbollistike. Edhe pse ju sot keni një kandidat të vetëm, fakti që asambleja zhvillohet në përputhje me statutin, rregullat dhe procedurat demokratike është një tregues i rëndësishëm i stabilitetit institucional të FFK-së”, tha Duka në fjalën e tij që pati në Kuvendin e FFK-së.

Duka potencoi se FFK ka dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm ndaj forcimit institucional dhe zhvillimit afatgjatë të futbollit, duke përmendur edhe marrëdhëniet mes UEFA-s dhe FFK-së.

“Marrëdhënia midis UEFA-s dhe FFK-s ka filluar të zhvillohet në mënyrë konstruktive dhe të ndërsjelltë. Federata e Futbollit e Kosovës ka dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm ndaj forcimit institucional dhe zhvillimit afatgjatë të futbollit, progres i cili njihet dhe vlerësohet nga UEFA. Gjatë viteve të fundit, bashkëpunimi ka qenë në disa fusha kyçe dhe strategjike, përfshirë qeverisjen, zhvillimin e infrastrukturës, futbollin e të rinjve dhe qëndrueshmërinë e institucioneve. Në këtë drejtim dua të theksoj përdorimin efektiv të fondeve HatTrick të UEFA-s, veçanërisht ndërtimin e fushave të reja me bar artificial dhe objekteve stërvitore. Këto investime kanë një rol të rëndësishëm në zgjerimin e qasjes në futboll, përmirësimin e kushteve të stërvitjes dhe forcimin e futbollit të bazës në gjithë Kosovën. Në aspektin sportiv, futbolli i Kosovës vazhdon të shënojë përparim të qëndrueshëm. Paraqitja e skuadrës kombëtare A në ndeshje kualifikuese të Kampionatit Botëror dhe pjesëmarrja e saj në Play-Off-in e marsit për të qenë pjesë e Kampionatit Botëror dëshmojnë qartë zhvillimin dhe ambicien e lartë. Uroj që kombëtarja e Kosovës të ketë sukses në dy ndeshjet e ardhshme të Play-Off-it”, ka thënë ai.

Po ashtu Duka ka theksuar se këto zhvillime dëshmojnë që futbolli në Kosovë po ecën përpara dhe në mënyrë të strukturuar.  

Të ngjashme