Prokuroria në Gjakovë kërkon paraburgim për 22 kryesues të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit

Prishtinë | 06 Shk 2026 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 kryesuesve, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave në zgjedhjet për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Gjakovës.

Sipas komunikatës për opinionin publik, kërkesa për paraburgim është paraqitur pas veprimeve hetimore të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 (njëzet e dy) kryesuesit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria njofton se ndaj të gjithë të dyshuarve është iniciuar procedurë penale për veprën “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’”, thekson Prokuroria.

Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore janë intervistuar gjithsej 22 kryesues, lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve të votimit gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet parlamentare.

Të ngjashme