Gjendet shqiptari i zhdukur prej 29-ditësh në lumin Mat

Prishtinë | 07 Shk 2026 | 12:31 | Nga Ekonomia Online

Pas rreth një muajsh kërkime, është gjetur trupi i pajetë i Jurgen Karajt, të riut që ra në lumë së bashku me shokun e tij më 10 janar.

Trupi i 30-vjeçarit u gjet në afërsi të fshatit Urakë, gjatë patrullimit me gomone të forcave të ushtrisë. Në vendin e ngjarjes po shkon grupi hetimor.

Ngjarja ka ndodhur më 10 janar rreth orës 01:30, ku konkretisht automjeti që drejtonte 24-vjeçari, Andi Losha dhe ku ishte pasagjer Jurgen Karaj, 30 vjeç ra në përrua, shkruan Topchannel.

Sipas policisë Losha u largua nga vendngjarja pa lajmëruar policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Losha u arrestua nga policia dhe pas testit të alkoolit u konstatua se 24-vjeçari e kishte drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Në operacionin e kërkimit u angazhuan polumbarët e RENEA-s, Forca Kombëtare e Sigurisë, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat Speciale të Kosovës, si dhe forca vullnetare dhe familjarë.

Të ngjashme