Gucati i quan skandaloze deklaratat e West: Kërkesa për 180 vjet burgim kënaq Serbinë

Prishtinë | 09 Shk 2026 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i OVL-UÇK’së, Hysni Gucati e ka quajtur skandaloz fjalën e kryeprokurores Kimberly West, me theks edhe kërkesën e saj për dënim prej 45 vjetësh për secilin veç e veç në rastin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK’së, raporton Ekonomia Online.

Kërkesën për burgim prej 180 vjetësh për ish-krerët, Gucati tha të ketë kënaq Serbinë dhe gjithë ata që kanë qenë kundër Kosovës.

“Dëgjuam një fjalim të saj përfundimtar të prokurores e cila është skandaloze, e cila kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej tyre, dmth kërkoi 180 vite burg. Kjo me këtë fjalë i ka kënaqur gjithë ata që kanë qenë kundër Kosovës, kundër çlirimit të vendit dhe i ka kënaqur vet politikanët serb dhe shtetin e Serbisë. Do të thotë Serbia është sot e kënaqur me prokurorët që kanë punuar kundër shtetit të Kosovës dhe vet UÇK-së. Ju e dëgjuat dhe vet fjalimin tjetër skandaloz të saj, ku thoshte që pjesëtarët e UÇK-së kanë ofenduar një qytetar i cili ka bashkëpunuar me Serbinë, që i thotë majmun, i thotë mos bashkëpuno me Serbi dhe ato i merren parasysh si krime lufte dhe për ne të gjitha këto janë të papranueshme, unë nuk dua t’i besoj fjalës fare dhe besoj që as qytetarët nuk do t’i besojnë”, tha Gucati teksa ishin mbledhur në zyrën e tyre në Prishtinë për të ndjekur këtë zhvillim gjyqësor.

Po ashtu, Gucati tha se West ishte e pasinqertë kur tha se gjenerali Wesley Clark dhe diplomatët nuk kishin njohuri për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Dhe fjalimet që tha se Clark dhe disa diplomatë amerikan nuk kanë njohur UÇK-në, ishte e pavërtetë. Vet NATO ka bashkëpunuar me UÇK, vet Clark ka bashkëpunuar me UÇK-në, të gjithë kanë punuar me UÇK për arsye me çliruar Kosovën dhe me sulmu qarqet serbe si në Serbi, si në Kosovë, aty ku ishin vendosur forcat paramilitare çetnike serbe. Dhe kjo është një gënjeshtër tjetër e cila mundohet kjo prokurore dhe gjykatë që ta bindë opinionin se UÇK nuk ka aspak përkrahje as ndërkombëtare, që do të thotë është e kundërta. UÇK ka pasur mbështetje dhe përkrahje nga të gjitha forcat politike ndërkombëtare”, theksoi Gucati.

Gucati thotë se nëse Gjykata Speciale nëse merr vendim politik, atëherë i ngjason gjykatave serbe.

“Shpresoj që në fund të muajit pres lirimin e kolegëve tonë. Nuk besoj që gjyqtarët do të bien nën ndikimin e prokurorëve. Dhashtë Zoti  që kjo Gjykatë të mos jetë politike, por të jetë Gjykatë që do të ndajë drejtësinë dhe jo të merret  me politikën. Se nëse është gjykatë politike, atëherë kjo gjykatë mua ma çon mallin si Gjykatat e Serbisë, apo të ish-Jugosllavisë. Ju e dini përpara sistemi Jugosllav ku gjithë njerëzit tonë në atë kohë  i kanë burgosur në atë kohë, kanë qenë gjykata politike.

Por ai beson që ish-krerët të mos dënohen meqë nuk ka as fakte mbi dënimin që do të mund ta bëjnë.

“Në të ardhmen nuk e di çka do të bëhet, por besoj që nuk do të dënohen sepse nuk ka fakte. Vici, lopa mali, kostumi. Kjo është një gënjeshtër dhe është marre që kjo gjykatë me u marrë  me këtë, dhe është marrë me dëshmitarë të fabrikuar dhe njerëz që i kanë trajnuar vet”, theksoi ai.

Të ngjashme