Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara gjashtë ankesa administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke i vërtetuar në tërësi vendimet e këtij institucioni.
Në njoftimin e Gjykatës Supreme thuhet se me aktgjykimin AA.nr.6/2026 është refuzuar ankesa e subjektit politik Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), e cila kishte kontestuar rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve të parakohshme, duke pretenduar parregullsi gjatë numërimit të votave. Gjykata Supreme ka vlerësuar se qëndrimi juridik i PZAP-së është i drejtë dhe i bazuar, duke theksuar se “nuk qëndron pretendimi se votat janë në disproporcion me numrin real të banorëve të komunitetit rom, pasi përfaqësimi politik i këtij komuniteti është siguruar edhe me votat e qytetarëve të komuniteteve të tjera”.
Po ashtu, me aktgjykimin AA.nr.7/2026, Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Koalicionit PAI–PDAK–LPB, i cili kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të PZAP-së dhe rinumërim të plotë të votave. Gjykata ka konstatuar se ankuesi “me asnjë provë të vetme nuk ka arritur të vërtetojë se ka pasur shkelje, parregullsi apo manipulime të votave”.
Me aktgjykimin A.A.nr.8/2026, është refuzuar ankesa e Emilija Rexhepit nga subjekti politik Nova Demokratska Stranka (NDS), e cila kishte kërkuar anulimin e 85 votave për subjektin “Koalicija Vakat” në një vendvotim në Velezhë. Gjykata ka theksuar se “pretendimet e pambështetura me prova konkrete nuk mund të shërbejnë si bazë për anulimin e votave”, duke paralajmëruar se një qasje e tillë do të cenonte sigurinë juridike dhe besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.
Në arsyetim, Gjykata Supreme ka theksuar se vetëm shkeljet e provuara qartë dhe që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultat mund të justifikojnë ndërhyrje, duke shtuar se “anulimi i votave mbi baza etnike nuk është në përputhje me Kushtetutën, ligjin zgjedhor dhe standardet ndërkombëtare”.
Me aktgjykimin A.A.nr.9/2026, Gjykata ka refuzuar edhe ankesën e subjektit politik Nova Demokratska Stranka lidhur me mandatin e rezervuar për komunitetin boshnjak në Komunën e Prizrenit. Sipas Gjykatës, “ligji zgjedhor nuk e kushtëzon vlefshmërinë e votës me përkatësinë etnike të votuesit, por me faktin që ai është i regjistruar ligjërisht dhe ka ushtruar të drejtën e votës sipas procedurave”.
Ndërkohë, me aktgjykimin AA.nr.10/2026, është refuzuar ankesa e kandidatit për deputet nga PDK, Bekim Haxhiu, lidhur me ndarjen e mandateve në bazë të kuotës gjinore. Gjykata ka vlerësuar se ndarja e mandateve nga KQZ-ja ka qenë në përputhje me ligjin, duke theksuar se “subjekti politik PDK ka fituar 22 mandate dhe kuota minimale gjinore prej 30% është përmbushur me 7 mandate për gjininë pakicë”.
Po ashtu, me aktgjykimin A.A.nr.11/2026, Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën tjetër të Bekim Haxhiut lidhur me votat me postë të pranuara pas afatit ligjor. Gjykata ka theksuar se këto vota janë pranuar në bazë të një vendimi të KQZ-së, i cili ka qenë në fuqi dhe nuk është kontestuar me mjete juridike brenda afateve ligjore, duke shtuar se “çdo përpjekje e mëvonshme për të kontestuar pasojat e një vendimi të tillë bie ndesh me parimet e sigurisë juridike dhe stabilitetit të rendit juridik”.
Me këto vendime, Gjykata Supreme ka përmbyllur shqyrtimin e të gjitha ankesave administrative kundër vendimeve të PZAP-së, duke i lënë në fuqi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.