Nagavci për rrahjen në shkollën “Pavarësia”: Dhuna është e papranueshme nga kushdo që ushtrohet

Prishtinë | 10 Shk 2026 | 11:57 | Nga Gzim Mujaj

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci ka reaguar në lidhje me rrahjen në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, e ku ka thënë se dhuna në çfarëdo forme dhe nga kushdo që vjen është e papranueshme dhe nuk ka vend në institucione arsimore, raporton Ekonomia Online.

Ajo aty përmend një deklaratë të përfaqësueseve të shkollës që thanë se nuk kanë mundur të marrin masa disiplinore në raport me nxënësit që krijojnë probleme, e për çka thonë se kjo vjen si shkak i një rregulloreje nga Komuna e Prishtinës që është marrë në 2016-tën.

“Sigurisht dhuna është e papranueshme në cilëndo prej formave të saj dhe nga kushdo që ushtrohet. Rasti i djeshëm e ka bërë të qartë edhe një herë se të gjithë janë të, mund të jenë të ekspozuar ndaj dhunës, dhe është tejet e rëndësishme që të gjitha instrumentet të cilat tashmë janë në dispozicion, mekanizmat të cilat i ka ndërtuar Ministria e Arsimit, të funksionojnë dhe të gjitha palët, përfshi mësimdhënësit, menaxhmentin e shkollës, drejtoritë komunale të arsimit, por edhe prindërit, t’i shfrytëzojnë mundësitë që i kanë në mënyrë që të punojmë bashkarisht në radhë të parë për parandalimin e dhunës e pastaj edhe për adresimin e saj në rastet kur ndodhin. Për informatin tuaj, ministria e ka të hapur platformën në SMIA, ku bëhet raportimi i secilit prej rasteve të dhunës. Në momentin që nga shkolla, dhe është obligim ligjor që të raportohen këto raste në SMIA, në momentin që raportohen, aktivizohen të gjitha mekanizmat, institucionet kompetente, përfshi Inspektoratin e Ministrisë së Arsimit, Drejtorinë Komunale të Arsimit, Qendrën për Punë Sociale në rast se është nevoja, policinë dhe institucione të tjera varësisht prej rastit të raportuar të dhunës”, tha ajo.

Megjithëkëtë, Nagavci tha se janë duke e trajtuar rastin dhe se inspektorët e arsimit kanë qenë në shkollë.

“Përtej kësaj, me sa kam dëgjuar sot nga një deklaratë e përfaqësuesve të shkollës, atyre nuk u është lejuar ose e kanë pasur të pamundur të marrin masa disiplinore në raport me, siç u tha nga shkolla, shkeljet e vazhdueshme disiplinore nga ana e shkollës, e që është tejet problematike, sepse Komuna e Prishtinës e ka të miratuar rregulloren që në vitin 2016 dhe sipas asaj rregulloreje janë të përcaktuara saktë masat disiplinore të cilat duhet të ndërmerren sapo të krijohet ndonjë incident dhe të mos lejohen përshkallëzime të tilla. Gjithsesi, për këtë rast, inspektorët kanë qenë që dje në shkollë, sot janë duke vazhduar punën e tyre duke marrë raportet dhe deklaratat edhe nga Drejtoria e Arsimit dhe do të adresohet secili çfarë ka përgjegjësi për këtë rast dhe jo vetëm për këtë”, tha ajo.

Nagavci nënvizon se ka mekanizma dhe legjislacione përmes të cilave mund të trajtohen këto raste. Por këtu ajo thotë se ka të bëjë edhe me keqmenaxhim dhe mosrespektim të legjislacionit.

“Është e rëndësishme që në radhë të parë të ketë një bashkëpunim të gjitha institucioneve, përfshi edhe prindërit dhe komunitetin e prindërve, sepse edukimi, kujdesi dhe krijimi i hapësirave të sigurta për fëmijët është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe komunitetit të prindërve. Në rastet kur kemi incidente, domethënë rregullorja i përcakton saktë, dhe kemi prej masave më të lehta siç janë vërejtja me gojë, vërejtja me shkrim, njoftimi edhe bashkëpunimi me prindërit, por edhe masa siç janë ndërrimi i klasës apo edhe ndërrimi i shkollës apo edhe pezullimi për ditë të caktuara, varësisht prej sjelljes për të cilën bëhet fjalë. Pra, ka mekanizma të mjaftueshëm, aspekti ligjor është në rregull, gjithë ajo që duhet është që të zbatohet në plotësi legjislacioni, por mbi të gjitha të punohet edhe në parandalim. Tani duhet të cekim se edhe roli i pedagogut, psikologut është jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm dhe për fat të keq, ndonëse si Ministri e Arsimit dhe Qeveri e Republikës së Kosovës kemi ndarë buxhetin e mjaftueshëm për punësimin e pedagogëve dhe psikologëve, në mjaft komuna, përfshi edhe Komunën e Prishtinës, nuk janë punësuar gjithë stafi për të cilin ata kanë buxhet, përfshi edhe pedagogët dhe psikologët e shkollës. Dhe këto probleme të cilat në radhë të parë kanë të bëjnë me keqmenaxhimin edhe me mosrespektimin e legjislacionit, sjellin te situata të tilla të cilat janë shqetësuese për të gjithë ne, natyrisht të papranueshme dhe të dënueshme”, tha ajo.

Të ngjashme