Anila Bisha padit qeverinë: Të pezullohet përdorimi i imazhit; Avokati sqaron padinë

Prishtinë | 11 Shk 2026 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Aktorja Anila Bisha ka depozituar një padi në Gjykatën Administrative kundër Këshillit të Ministrave dhe AKSHI-t, duke kërkuar pezullimin e përdorimit të imazhit të saj për ministren virtuale Diella.

Në lidhje me këtë, avokati i aktores, Aranit Roshi, sqaroi gjithçka për “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN.

“Ka pasur një kontratë të datës 3 dhjetor 2024, ku zonja Bisha jep autorizimin që imazhi i saj të përdorej si hap i parë për asistentin virtual të e-Albania. Kontrata ka qenë vetëm për përdorimin e avatar-it të e-Albania. Ndërkohë që në shtator ra në dijeni që të dhënat e saj personale janë përpunuar në kundërshtim me ligjin dhe është krijuar një avatar i ministres Diella. Ky fakt përbën shkeljen e pretenduar nga ana jonë”, tha avokati.

“Në kontratën fillestare ishte përdorimi i të dhënave për aksesimin e menusë nga përdoruesit, ndërkohë që Diella si ministre bën deklarime të karakterit politik dhe gjeopolitik, për të cilat nuk ka dhënë asnjë lloj miratimi”, shtoi avokati.

Sipas tij, ka pasur tratativa për të gjetur zgjidhje, “por kur konstatuam që nuk kishim përgjigje bashkëpunuese, vendosëm t’i drejtoheshim gjykatës”.

Të ngjashme