Deputeti i AAK-së Besnik Tahiri, ka kritikuar ekspozenë e prezantuar nga mandatari për kryeministër Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se Kurti ka prezantuar një kabinet qeveritar i cili është i përmasave të një shteti të Kinës.
“Ne jemi sot këtu në një ditë kur ne si deputetë, ne si grup parlamentar, do të duhej të reflektonim mbi një program, mbi një ekspoze, mbi një kabinet të kësaj qeverie, të cilin as nuk e kemi parë, as nuk e kemi lexuar, por e kemi dëgjuar prej kandidatit për Kryeministër në këtë foltore. Bile-bile lexova shpejt, po ashtu u habita që kjo është qeveria më e madhe, qeveria që i ka 21 ministra, zëvendëskryeministrat, pra një kabinet i përbërë prej 21 anëtarëve. Kryeministër, a e di çka kjo thotë? Kur e ke marrë mandatin, sa ministri? A e duhet të dish që ke themeluar një kabinet qeveritar i cili është i përmasave të një shteti të Kinës? Në një Kosovë me 1.7 milionë banorë. Pra, ky kabinet qeveritar nuk është asgjë tjetër përveçse atëherë model i një pushteti të marrë në mënyrë demokratike, partiak, që synim vetëm e ka të shtyjë një agjendë puro-partiake dhe politike. Këtu sot, normal që e kam fjalën për shkak se unë jam këtu në emër të grupit parlamentar të reflektoj mbi programin, mbi vizionin, mbi idetë rreth ministres se çka të bëjmë me Kosovën”, tha ai.
Ai theksoi se AAK do të jetë në Kuvend për ta ballafaquar me çdo punë.
“Në këtë rast, do të duhej t’i shkoqis vetëm shtatë pika, të cilat për mua janë të habitshme dhe duhet t’ia adresoj qytetarëve të Kosovës. Para se ta bëj këtë, në emër të grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zotohemi se në çdo punë të mirë, në çdo projekt të mirë, që kjo qeveri sjell në këtë Kuvend, pa marrë parasysh a ju duhen a s’ju duhen votat tona, ne do ta mbështesim. Mirëpo do të jemi këtu me këta numra që jemi, me ju ballafaqu me atë që mendojmë se nuk është e drejtë dhe është kundër qytetarëve të Kosovës, kundër këtij interesi publik dhe është në funksion vetëm të fuqisë tuaj politike, që edhe me të drejtë po e manifestoni e po e manifestoni, po mos harroni që kjo ditë vjen mbas një viti bllokade, bllokadë e cila i ka kushtuar Kosovës me qindra miliona humbje, me një apati të madhe dhe me një ikje të qytetarëve dhe të rinisë së Kosovës”, tha ai.
