Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon tha se Gjykata Speciale duhet të ketë kujdes nga dëshmitë e dhëna nga Serbia.
Përveç kësaj, ai tha se mbështetja e autoriteteve ndaj kësaj gjykate duhet të merret parasysh, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Autoritetet serbe dhe mbështetja e tyre për këtë gjykatë po ashtu duhet të merren parasysh në veçanti kur flitet për qëllime forenzike për vlerësimin e provave që ata i kanë dhënë gjykatës”, tha Dixon.
Avokati Dixon tha se nuk është e ndershme në aspektin intelektual që të argumentosh që mund të anashkalosh politikat serbe.
“Sikurse e kam theksuar edhe më herët, në aspektin intelektual nuk është e ndershme që të argumentosh që mund të anashkalosh politikat serbe dhe dominim serb, ndërkohë që vlerësohet nëse UÇK-ja ka pasur në thelb të njëjtën politikë dhe në të njëjtën kohë të thuash se ka shkuar në drejtim tjetër”, tha ai.
Avokati shtoi se Serbia ka kryer aparteid në Kosovë ngjashëm si në Afrikën e Jugut. Por, dallimi sipas Dixon është që Serbia u mundua të gjykojë ata që kishin vuajtur nën sistemin e tyre, ndërsa në Afrikën e Jugut, ekzekutorët kishin pranuar fajin.
Përpara kësaj, Dixon tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë janë të rëndësishme për Kosovën në aspekt të sundimit të ligjit.
“Rëndësia e DhSK-së për Kosovën është absolutisht e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe për pajtime të ardhshme, edhe për një vend të tillë të botës që nuk është në qendër të vëmendjes së botës apo që nuk tërheq vëmendje kryesore në titujt e gazetave ose të lajmeve kryesore, përsëri është e rëndësishme që të merret parasysh e gjithë mbështetja e vendit për këtë gjykatë”, tha ai.
(Përditësuar, ora 11:02)- Në deklaratën e tij përmbyllëse, avokati Rodney Dixon i cili përfaqëson Kadri Veselin, deklaroi se nuk mund të injorohet ajo se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë dhe se ata nuk kanë qenë thjesht “dele që kalonin gjatë natës”.
“Ju nuk mund të injoroni atë e çfarë ka bërë Serbia sikur Serbia të ishin thjesht dele që kalonin gjatë natës”, tha Dixon, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai tha se në Kosovë ka pasur aparteid ngjashëm qysh si ndodhur në Afrikën e Jugut. Por, për dallim të fundit kishin kërkuar falje ndaj viktimave, ndërsa Serbia ka akuzuar persona që kanë vuajtur nën sistemin e tyre.
“(Ata në Afrikën e Jugut) kërkuan ndjesë për atë se çfarë kishin bërë. Në Kosovë, arkitektët serbë dhe ekzekutuesit e bënë të kundërtën. Ata akuzuan persona që kanë vuajtur në atë sistem dhe kërkuan që ata që kanë vuajtur të gjykoheshin dhe në fakt jo vetëm kaq por dhanë prova që kjo të bëhej për t’iu thënë ndërkombëtarëve që ‘ju kemi thënë se këta të UÇK-së janë rrugaçë e janë të pabindur. Ne kemi pasur të drejtë për atë se çfarë kemi bërë në Kosovë”, tha Dixon.
Përpara kësaj, Dixon tha se angazhimi i Kosovës ndaj drejtësisë duhet të përgëzohet.
“Ngjarjet që mbulon kjo çështje gjyqësore kanë ndodhur 25 vite më përpara ndërkohë që procesi gjyqësor nuk është se ndiqet shumë jashtë Kosovës. Megjithatë, në një peizash ndërkombëtar që përfshinë shtete që atashohen me gjykatat ndërkombëtare dhe është e rëndësishme që të theksohet se Kosova ka dhënë mbështetjen e plotë. Kështu që për këtë arsye angazhimi i Kosovës ndaj drejtësisë duhet të përgëzohet dhe duhet të jepet roli që meriton në shtete dhe në kombe të ndryshme në botë dhe duhet të sigurohet respektimi i sundimit të ligjit”, tha ai.
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare para trupit gjykues në Hagë, të enjten, tha se fjalët e ministrit kryesor të mbretit Luigj XIII mbesin shqetësuese edhe pse u thanë që në vitin 1620.
Ai tha se ky ministër kishte thënë se po t’i jepen gjashtë rreshta të shkruara nga dora e njeriut të ndershëm, përsëri do të gjendej diçka për të çuar në varje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ministri kryesor i mbretit Luigj XIII nga viti 1620, fjalët e tij mbesin shqetësuese siç kanë qenë edhe atëherë dhe po citoj: po të më japësh gjashtë rreshta të shkruara nga dora e njeriut më të ndershëm unë përsëri do të gjej diçka për të cilën do ta çojë në varje”, tha ai.
Përpara kësaj, Dixon tha se Prokuroria po bën “akrobaci” në argumentet e saj në rastet kur nuk ka prova ndaj Veselit.
“Fatkeqësisht, Prokuroria bën akrobaci në argumentet e saj në rastet kur nuk ka prova kundër klientit tim dhe është pikërisht kjo që në fakt të shqetëson tej mase. Kjo është në kundërshtim me traditat krenare të gjykatave të shkuara dhe të tanishme”, deklaroi Dixon.
Ai shtoi se klienti i tij mund të ndihet në ankth gjatë kohës sa po qëndron në burg.
“Mund ta imagjinoni se si ndihet klienti im në burg- plot ankth në një çështje e cila të mund të perceptohet e vërtetë vetëm se argumenti është vendosur këtu”, u shpreh ai.
Rrjedhimisht, avokati tha se kjo çështje ka në nocion shfrytëzimin e copëzave të informacionit, thashethemeve, spekulime e propaganda.
“Në Amerikë është që një prokuror mund të ngrejë një çështje edhe kundër një sandviçi me proshutë dhe ky rrezik ekziston gjithë kohën në kushtet e një lufte guerilese, nuk nuk ka procesverbale të rregullta por copëza letrash, kur niveli i propagandës dhe mburrja është e nivelit të lartë”, tha ai ndër tjerash.