Pas ditësh tensioni dhe negociatash sekrete, Real Madridi zyrtarisht hoqi dorë nga projekti i Superligës Evropiane, duke e vulosur fundin e një kapitulli që kishte nisur rreth pesë vjet më parë në futbollin e kontinentit.
Superliga ishte prezantuar për herë të parë në prill të vitit 2018 nga 12 klube të mëdha evropiane si Milan, Arsenal, Atletico Madrid, Chelsea, Barcelona, Inter, Juventus, Liverpool, Manchester City, Manchester United, Real Madrid dhe Tottenham, si një alternativë ndaj Champions League — por që u përball me kundërshtim të ashpër nga tifozët, ligat kombëtare dhe UEFA që nga fillimi.
Në një komunikatë, klubi spanjoll njoftoi se UEFA, European Football Clubs (EFC) dhe Real Madrid e kanë arritur një marrëveshje në parim “në interes të futbollit evropian”, e cila praktikisht e mbyll procesin e Superligës, përcjell “Gazeta Express”.
Nasser Al-Khelaifi, presidenti i Paris Saint-Germain dhe kreu i EFC, e komentoi rezultatin si një fitore për të gjithë.
“Faleminderit të gjithëve — presidentit të UEFA-s Aleksander Čeferin, Florentino Pérez dhe pjesëmarrësve të tjerë. Këtu askush nuk ka humbur; futbolli është fituesi i vërtetë.”
Ai shtoi se në këtë marrëveshje të gjithë kanë përfituar dhe se fusha e lojës është rindërtuar në formë të bashkuar.
Al-Khelaifi gjithashtu e vlerësoi rolin e presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, në procesin e dialogut dhe bashkëpunimit.