Kuvendi e voton Planin e Rritjes së BE-së, Kosova do të përfitojë 882 milionë euro

Prishtinë | 13 Shk 2026 | 16:13 | Nga Gzim Mujaj

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në seancë të jashtëzakonshme plenare Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje, raporton Ekonomia Online.

Marrëveshja u miratua me 104 vota “për”, asnjë kundër dhe 5 abstenime, ndërsa më herët 100 deputetë votuan për shmangien e afateve procedurale për shkak të vonesave të krijuara nga ngërçi politik.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se marrëveshja njihet si instrumenti për reforma dhe rritje, që është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së, duke theksuar se Kosova pritet të përfitojë 882.6 milionë euro, që sipas tij paraqet alokimin më të lartë në raport me bruto produktin vendor krahasuar me shtetet tjera.

“Kjo marrëveshje ndryshe njihet si marrëveshja për instrumentin për reforma dhe rritje, e që është pjesë e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Në kuadër të këtij plani apo kësaj marrëveshjeje, pra parashihet që Kosova të përfitojë një pako prej 882.6 milionë eurove, e cila është, mund të them, alokimi më i lartë në raport me bruto produktin vendor ndërmjet gjitha shteteve. Pra është rreth 10% e bruto produktit vendor që i është alokuar Kosovës. Dhe kjo mbështetje financiare pra vjen në formën e mjetit të drejtpërdrejtë si grant apo 253.3 milionë euro, ndërkaq pjesa tjetër pra 629.3 milionë euro është në formë të kredisë. Në këtë aspekt, janë dy marrëveshje që do të nënshkruhen për Planin e Rritjes. Është kjo tani në këtë pikë të rendit të ditës që është marrëveshja që mundëson instrumentin apo Planin e Rritjes dhe reformën apo paketën e reformave, dhe më pastaj në një pikë tjetër do të kemi edhe marrëveshjen e kredisë, pra që mundëson pra ratifikimin e kredisë”, tha ai.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Hykmete Bajrami, tha se komisioni e ka shqyrtuar marrëveshjen dhe në mënyrë unanime e ka miratuar atë.

Sipas deklarimeve, marrëveshjet ndërkombëtare pritet të mbështeten dhe votohen nga të gjitha grupet parlamentare, përveç Lista Serbe, e cila nuk u deklarua lidhur me këtë çështje.

Të ngjashme