Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për bllokim të qëllimshëm të buxhetit të miratuar të kryeqytetit, duke e cilësuar këtë si vendim politik për ta dobësuar Prishtinën.
Në një reagim në Facebook, Rama ka thënë se po flet jo vetëm si kryetar, por si përfaqësues i mbi 300 mijë qytetarëve që, sipas tij, po penalizohen padrejtësisht.
“Qeveria e re e Kosovës po bllokon qëllimisht buxhetin e miratuar të Kryeqytetit. Ky nuk është vonim teknik. Nuk është keqkuptim administrativ. Është vendim politik për ta dobësuar Prishtinën”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, buxheti i kryeqytetit është votuar në përputhje me ligjin dhe përbën dokument zyrtar të Kosovës, andaj çdo ndërhyrje për ta anashkaluar apo sabotuar atë, siç tha ai, përbën shkelje të rendit institucional.
Ai paralajmëroi se bllokimi i buxhetit ka pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.
“Kur ndalet buxheti i Prishtinës, ndalet ndërtimi i shkollave, ndalet përmirësimi i infrastrukturës, ndalet investimi në çerdhe, ndalet zhvillimi ekonomik. Kjo nuk është luftë ndaj Kryetarit. Kjo është ndëshkim kolektiv ndaj qytetarëve”, u shpreh Rama.
Kryetari i Prishtinës theksoi se kryeqyteti nuk është pronë e asnjë partie politike dhe se nuk duhet të përdoret si mjet presioni politik.“Nuk do ta lejoj që kryeqyteti të trajtohet si kundërshtar. Nuk do ta lejoj që qytetarët e Prishtinës të paguajnë çmimin e kalkulimeve politike”, deklaroi ai.
Rama paralajmëroi se, nëse Qeveria vazhdon me të njëjtën qasje, Komuna e Prishtinës do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale për të mbrojtur, siç tha ai, të drejtat e saj.
“Kjo nuk është çështje personale. Kjo është çështje dinjiteti institucional dhe respekti ndaj qytetarëve. Prishtina nuk do të heshtë. Prishtina nuk do të frikësohet. Dhe Prishtina nuk do të ndalet”, përfundoi ai