Mbi 200 mijë qytetarë pritet të jenë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet me 17 shkurt në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Kështu ka bërë të ditur përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër” , Eliza Hoxha, në konferencën për media.
“Kjo nuk është çështje partie, pushteti, por është çështje drejtësie dhe dinjiteti kombëtar. Kemi marrë konfirmime nga shqiptarë nga i gjithë rajoni dhe Evropa. Diaspora jonë po organizohet, po vjen, po udhëton me orë të tëra për të qenë bashkë. Po na vijnë fotografi e mesazhe me familje të cilat na tregojnë që do të jenë prezente aty bashkë. Ky është momenti kur e kupton që ky marsh nuk i përket vetëm një platforme dhe individi, thjesht ky marsh i përket popullit të Kosovës. Presim mbi 200 mijë qytetarë në këtë marsh. Do të jetë marshi më i madh në historinë e Kosovës së lirë. Por madhështia e tij nuk matet vetëm me numra, por do të matet me qetësinë tonë, me disiplinën dhe dinjitetin tonë dhe seriozitetin e mesazhit që do të përcjellim atë ditë”, tha Hoxha.
Eliza Hoxha theksoi se qytetarët do të dalin për të kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre.
Në këtë marsh do të jenë pesë folës, por asnjëri nuk do të jetë partiakë, ndërsa do të performojë edhe këngëtari Ilir Shaqiri dhe Lyrical Son.
“E ripërsëris edhe sot: asnjë folës nuk do të jetë partiak. Ky është marsh qytetar,” theksoi Tasholli.
Programi do të përfshijë edhe performancë artistike nga Ilir Shaqiri dhe Lyrical Son, ndërsa do të realizohet një aksion simbolik tek monumenti NEËBORN, si moment reflektimi për lindjen e shtetit të Kosovës dhe përgjegjësinë për mbrojtjen e së vërtetës së tij.
Ndërkohë që përfaqësuesi i “Liria ka Emër” Ismail Tasholli uu bëri thirrje të gjithëve që të bashkohen në këtë marsh paqësor dhe le të mbetet një dëshmi për historinë se Kosova ka ditur të jetë e madhe kur është e bashkuar.
“Kur një popull ngrihet në mënyrë paqësore për të kërkuar drejtësi, nuk dobëson shtetin e tij, por e forcon atë. Kur qytetarët bashkohen pa dallime moshe, bindje apo përkatësie, ata nuk krijojnë krizë, ata krijojnë vetëdije. Prandaj, ftesa jonë finale është e thjeshtë dhe e sinqertë: Hajdeni të gjithë. Hajdeni me familjet tuaja, merreni fëmijët përdore, merrni prindërit dhe gjyshërit dhe t’u tregojmë brezave se si mbrohet dinjiteti me qetësi, unitet dhe me kurajo. Le t’u tregojmë se Kosova ka ditur të jetë e madhe kur është e bashkuar”, bëri thirrje Tasholli.
Ai madje tha se më 17 shkurt sheshi i Prishtinës do të jetë zëri i qytetarëve që është dëshmia se kërkesa për asgjë më shumë dhe as më pak, se drejtësia, është e pastër.
“Më 17 shkurt, sheshi i Prishtinës do të jetë zëri juaj, do të jetë dëshmia se kërkesa jonë për drejtësi është e pastër, qytetare dhe e përbashkët. Gjithçka është gati. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen masive që e keni dhënë”, tha Tasholli.


