Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi të dielën se ka marrë një ftesë zyrtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim, në kuadër të themelimit të Bordit të Paqes.
Deklaratën ai e bëri gjatë podcastit të tij të mëngjesit, ku foli për zhvillimet e fundit në skenën ndërkombëtare dhe për rolin e Shqipërisë në nisma globale. Rama theksoi se vizita lidhet drejtpërdrejt me themelimin zyrtar të Bordit dhe nisjen e aktivitetit të tij, duke shtuar se Shqipëria do të ketë statusin e shtetit themelues.
“Shqipëria nuk do të kontribuojë financiarisht për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme në këtë bord, por do të japë kontribut përmes reputacionit dhe dinjitetit që ka ndërtuar në arenën ndërkombëtare. Ky është një vlerësim i lartë për vendin tonë dhe për pozicionin që kemi arritur në diskutimet globale mbi të ardhmen e paqes,” tha Rama.
Ai iu referua edhe kritikave të mëhershme nga opozita, duke kujtuar reagimet që sipas tij kishin vënë në dyshim ftesën dhe mundësinë e vizitës. Rama theksoi se prania e tij në Uashington konfirmon seriozitetin e angazhimit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe rolin e saj në tryeza të nivelit të lartë.