Kurti pas takimit me Orav: E nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat

Prishtinë | 16 Shk 2026 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, Aivo Orav, ka thënë se BE është organizata e paqes dhe sigurisë e ku nënvizon se është e nevojshme që Kosova ta marr statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian, raporton Ekonomia Online.

Kurti poashtu thotë të kenë biseduar edhe për marrëveshjen për Planin e Rritjes që u miratua në Kuvend të premten.

“E falënderova ambasadorin Orav, shefin e misionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, për urimin e tij me rastin e konstituimit të Kuvendit të legjislaturës së 10-të dhe për formimin e Qeverisë, si dhe për aprovimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili ka vlerë të gjithmbarshme për Republikën tonë prej 882.6 milionë euro. Nga këto, afër 30 për qind janë grante, ndërkaq mbi 70 për qind janë kredi”, tha Kurti.

I pari i ekzekutivit nënvizoi se BE është partner i besueshëm i Kosovës.

“Gjithashtu, i përsërita zotimet e Republikës së Kosovës se shteti ynë do të jetë, siç ka qenë përherë, partner i besueshëm dhe serioz i Bashkimit Evropian. Ne konsiderojmë që Bashkimi Evropian është organizata e paqes dhe sigurisë, ku ne dëshirojmë edhe të kontribuojmë, edhe të përfitojmë. Për këtë është e nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian, që do të na ndihmojë t’i përshpejtojmë agjendën e reformave, që padyshim do të jetë prioritet i Qeverisë sonë”, theksoi Kurti.

Kurse Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, uroi sot kryeministrin Albin Kurti për rizgjedhjen e tij të tretë. 

Ndërsa Orav përveç urimit për formimin e Qeverisë tha se me krizën politike që zgjati për një vit rresht, testoi limitet Kushtetuese.

 “Të gjithë e dimë që vitin e kaluar u testuan limitet e Kushtetutës. U desh ca kohë, por besoj se tani është e mundur që të lëvizim para në drejtimin e duhur; është me rëndësi që nga ana evropiane të kemi një partner, një qeveri të qëndrueshme. Jam gjithashtu i lumtur se marrëveshjet lidhur me Planin e Rritjes u miratuan kaq shpejt në Kuvend dhe tani procesi i zgjerimit të BE-së vazhdon. Shpresoj që me Kosovën të kalojmë faqen tjetër të librit dhe të vazhdojmë për një të ardhme të përbashkët”, tha ai.

Të ngjashme