Partia Demokratike e Kosovës njofton se përcolli me vëmendje paraqitjen e fjalëve përfundimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë nga katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
PDK thotë se paraqitja e ish-krerëve të UÇK-së ishte mbi të vërtetën
“Pas më shumë se pesë vjetësh në paraburgim, paraqitja e tyre ishte dinjitoze dhe e mbështetur në të vërtetën e luftës së popullit të Kosovës për liri. Ata folën me përgjegjësi, me respekt për procesin dhe me besim në drejtësi, duke dëshmuar se përballja me drejtësinë nuk është shmangie nga historia, por pjesë e saj”, thuhet në njoftim.
Në këtë fazë vendimtare, Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur pritjen dhe kërkesën e saj që vendimi të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova, larg çdo narrative apo perceptimi politik.
“Lufta e popullit të Kosovës për liri ishte një luftë e drejtë, çlirimtare dhe e domosdoshme për mbijetesë përballë një regjimi shtypës. Kjo është një e vërtetë historike e njohur nga qytetarët tanë dhe e konfirmuar nga rrjedha e zhvillimeve ndërkombëtare që çuan në ndërhyrjen e NATO-s dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ne besojmë në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe presim që, pa zvarritje dhe mbi bazën ekskluzive të fakteve e provave, të merret një vendim i drejtë dhe i paanshëm, i cili do të konfirmojë lirimin e plotë nga të gjitha pikat e aktakuzës”, thuhet tutje në njoftim.