Në seancën gjyqësore të mbajtur të enjten në rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, është bërë propozimi i administrimi të provave në këtë rast, raporton Ekonomia Online.
Gjatë seancës janë paraqitur propozimet e prokurorisë për administrimin e provave, kundërshtimet e mbrojtjes lidhur me ligjshmërinë dhe relevancën e tyre, si dhe kërkesa shtesë nga palët për përfshirje ose përjashtim të materialeve të caktuara, ndërsa seanca është ndërprerë për të vazhduar ditën pasuese.
Prokurori i Shtetit, Naim Abazi, deklaroi se duke qenë në fazën e administrimit të provave sipas propozimit në aktakuzë, aktualisht në këtë proces janë duke u gjykuar vetëm tre të pandehur dhe për këtë arsye prokuroria ka propozuar që disa prova që lidhen me të pandehur të tjerë të mos administrohen, ndërsa disa të tjera po.
“Meqë jemi në këtë fazë të administrimit të provave ashtu siç e kemi propozuar në aktakuzë, jemi dëshmitarë që nga të gjithë këta të pandehur i kemi vetëm 3 që janë të gjykuar në këtë proces. Lidhur me këtë ne kemi propozuar që disa prova që lidhen me të pandehurit e tjerë të mos administrohen e disa prova të tjera të administrohen. Po propozoj me radhë provat që duhet të administrohen dhe ato që nuk duhet të administrohen. Gjithashtu kemi edhe dy raporte të pranuara përmes ndihmës juridike ndërkombëtare nga SHBA që do t’i propozojmë për administrim.
Ai tha se propozon gjykatës që të administrojë edhe dy raporte juridike ndërkombëtare.
Ai shtoi se këto raporte përfshijnë analiza të të dhënave elektronike të pranuara nga Meta dhe Google, që sipas tij lidhen me llogaritë elektronike të të akuzuarit Dushan Maksimoviq dhe përmbajnë të dhëna teknike, IP adresa, kontakte, materiale fotografike me armë dhe të dhëna të navigimit, duke theksuar se
“Raportin njoftues apo analizimin e të dhënave të pranuara nga META dhe Google që kanë të bëjnë me të dhënat elektronike të subjektit Dushan Maksimoviq i përpiluar nga njësia e hetimeve drejtoria kundër terrorizmit në Prishtinë. Këto dyja i janë dorëzuar autoriteteve të Kosovë, të cilat materiale në detaje janë analizuar nga hetimet përkatëse. Këto raporte përmbajnë të dhëna të natyrës teknike dhe të dokumentuara të nxjerra nga sistemet zyrtare të Google dhe Meta që lidhen me llogarinë elektronike të pandehurit Dushan Maksimoviq. Këto përmbajnë të dhëna të abonentit, IP adresa për krijimin e llogarisë së tij me origjinë nga Serbia, numri i telefonit për rikuperim me prefiks shtetëror të Serbisë, aktivizimi i shërbimeve si location history që përmban të dhëna nga Google Maps, YouTube dhe Android, lista e kontakteve të ruajtura në llogarinë e tij ku përfshihen persona të identifikuar në bazë të aktakuzës dhe të akuzuar në këtë proces gjyqësor, materiale fotografike të ruajtura nga Google Photo, ku shfaqen armë, municion dhe persona të tjerë të përfshirë në hetim. Të dhëna mbi kërkime dhe navigim në territorin e Kosovës përmes Google Maps, nga se analiza e kontakteve rezulton se ekzistenca e lidhjeve të drejtpërdrejta me të akuzuarit tregon ekzistencën e një rrjeti të komunikimit dhe ndërveprimit mes tyre. Nga analiza rezulton ora e fotografive ku shfaqen armë dhe municion si dhe fotografi ku i akuzuari paraqitet në shoqërinë e një rrjeti të komunikimit mes tyre. Këto prova janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha ai.
Avokati i palës së dëmtuar Naim Rudari tha se mbështet propozimin e prokurorisë, por që pati edhe disa propozime që të administrohen edhe disa prova të tjera.
Avokati i të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Ljubomir Pantovic, tha se në mënyrë të përgjithshme i kundërshton provat materiale të propozuara për administrim, duke shtuar se nga aktakuza nuk mund të vërtetohet lidhja e të mbrojturit të tij me provat, përveç një rasti që lidhet me gjurmët e barutit në rrobat e tij, ndërsa sipas tij provat e tjera lidhen kryesisht me mënyrën e arrestimit dhe nuk kanë rëndësi juridike.
Ai po ashtu ka propozuar edhe disa prova që duhet të administrohen, duke përfshirë edhe një foto.
“Sa i përket kundërshtimit, unë në fillim do të them se në mënyrë të përgjithshme e kundërshtoj provat materiale të cilat janë të propozuara që të administrohen në këtë shqyrtim. Këtë e bëj për shkak se nga kjo aktakuzë nuk është e mundur duke shikuar në mënyrë objektive që të vërtetohet se në çfarë lidhje është i mbrojturi im me këto prova. Përveç se në një rast ku flitet për gjurmët e barutit në rrobat e tij. Të gjitha të tjerat në shqyrtim të provave që janë të cekura në aktakuzë kanë të bëjnë vetëm me përshkrimin e mënyrës në të cilën është arrestuar Blagoje Spasojeviq që nuk është e rëndësisë juridike.
Avokati i të akuzuarit Vladimir Toliq, Millosh Deleviq, deklaroi se në mënyrë gjenerale i kundërshton të gjitha provat materiale të prokurorisë, pasi sipas tij ato janë siguruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e procedurës penale në Kosovë dhe si të tilla nuk mund të shërbejnë si bazë për vërtetimin e fajësisë.
“E kundërshtoj në mënyrë gjenerale të gjitha provat materiale të prokurorisë sepse janë të siguruara në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e Kosovës për procedurën penale. Si të tilla nuk mund të jenë bazë për vërtetimin e fajësisë”, tha ai.
I akuzuari Vladimir Toliq deklaroi se fotografia e paraqitur në aktakuzë është realizuar në momentin kur ai është gjetur në vendin e ngjarjes dhe se që nga momenti i afrimit të zyrtarëve policorë është bërë incizim dhe fotografim i vazhdueshëm nga një zyrtar policor, duke shtuar se pret që këto incizime dhe fotografi të jenë në posedim të policisë dhe të dëshmojnë se ai nuk ka poseduar armën e quajtur minahedhës, nuk ka pasur kontakt me të dhe nuk e ka parë asnjëherë, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje me atë armë.
“Sa i përket fotografisë e cila është treguar në aktakuzë, ajo është fotografi e cila është bërë me vetë daljen në vendin e ngjarjes ku unë jam gjetur. Nga ai moment kur më janë afruar zyrtarët policorë, ka qenë incizim dhe fotografim konstant nga një zyrtar policor, ashtu që shpresoj që këto incizime dhe fotografi kanë mbetur tek ata dhe ata mund ta provojnë se unë nuk kam poseduar armën, të ashtuquajturën minahedhës. Se nuk kam pasur kurrfarë kontakti me të, nuk e kam parë. Dhe krejt këtë gjë e hedh dhe deklaroj se nuk kam pasur kurrfarë lidhje dhe kontakt me atë armë”, tha ai.
Kundërshtime ndaj këtyre provave pati edhe avokatja e të akuzuarit Dushan Maksimoviqit, Jovana Fillipoviq.
I akuzuari Dushan Maksimoviq deklaroi se rreth një vit më parë kishte bërë kërkesë nga paraburgimi për t’i parë video-incizimet që janë pjesë e aktakuzës, por ishte njoftuar se nevojitet aprovimi i gjykatës, duke kërkuar që t’i mundësohet shikimi i kësaj prove në prani të avokates në mënyrë që të mund të dëshmojë më lehtë para gjykatës pafajësinë e tij.
“Unë diku para një viti kam bërë një kërkesë në paraburgim që të më miratohet që të shikoj video incizimet që janë në aktakuzë. Nga paraburgimi më kanë njoftuar se duhet aprovimi nga gjykata. Andaj do të kërkoja nëse është e mundur që të më miratohet që atë provë ta shikoj në prani të avokatës në qendrën e paraburgimit, ashtu që të mundem më lehtë para kësaj gjykate ta vërtetoj pafajësinë time që nuk kam lidhje me ngjarjet e 24 shtatorit”, tha ai.
Pala mbrojtëse gjithashtu u ankua se prokuroria nuk i ka pajisur me të gjitha shkresat e lëndës dhe provat e tjera, ndërsa avokati Millosh Deleviq kërkoi ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor deri në pajisjen e plotë me materialet e rastit.
Avokati i të akuzuarit Vladimir Toliq, Millosh Deleviq, tha se kërkon që të ndërpritet shqyrtimi gjyqësorë deri sa të pajisemi në total me shkresta e lëndës dhe me provat e tjera.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, tha se për shkak të përfundimit të orarit të punës trupi gjykues ka marrë aktvendim për ndërprerjen e seancës dhe vazhdimin e saj ditën e nesërme.
Sipas Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, 45 persona, përfshirë edhe tre të akuzuarit që ndodhen në paraburgim, akuzohen se më 24 shtator 2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku.

