Ramiz Lladrovci: Hedhim poshtë çfarëdo përfshirje të emrit të heroit Fehmi Lladrovci në Gjykatën e Hagës

Prishtinë | 20 Shk 2026 | 19:28 | Nga Ekonomia Online

Ramiz Lladrovci ka reaguar pasi Prokurori i Specializuar në Hagë përmendi emrin e heroit Fehmi Lladrovci duke folur për hierarkinë dhe urdhrat gjatë luftës.

Në një shkrim në Facebook, Lladrovci ka thënë se hedhin poshtë çfarëdo përfshirje të emrit të tij në Gjykatën e Hagës. 

“Feha, Xheva dhe bashkëluftëtarët e tyre, ishin dhe mbesin çlirimtarë, heronj të Kosovës!

Gjatë fjalës përfundimtare të Prokurorit të Specializuar në Hagë, kundër heronjve tanë të luftës dhe paqes, është lakuar emri i Heroit Fehmi Lladrovci. Emri është vënë në kontekst se kinse në atë kohë kishte hierarki ushtarake dhe jepte “urdhra”. Këto pretendime fuqishëm i hedhim poshtë.

Në dokumentin konfidencial, Raport zyrtar (UNMIK/OKB), në raportin e oficerit (emër i njohur për neve), thuhet se “në banesën e H.Ç., më 08.05.2001, ndër sendet e sekuestruara janë gjetur dokumente që implikojnë një urdhër nga oficeri i UÇK-së Fehmi Lladrovci, i dhënë një ushtari të ri, K.K., më 10.04.1998, për të kryer ekzekutimin e H.Sh.”.”

“Ky është përfundim i pavërtetë i oficerit të UNMIK-ut dhe bie në kundërshtim të plotë me burimin gjoja të informacionit, kinse të gjetur në dokumentin e marrë gjatë bastisjes.

Në këtë deklaratë të K.K. kinse thuhet: “…isha në një gjendje ku do të bëja çfarëdo, vetëm për t’u bërë” ushtare. Personat që kishin njohuri për këtë veprim ishin Mus Jashari, Fehmi Lladrovci, Jahir Demaku, etj.” – ka shkruar ai.

Tutje, Lladrovci ka shtuar: 

“Hedhim poshtë konstatimin se Fehmi Lladrovci ka qenë në “dijeni”, për kohën e dhënë, sepse në këtë kohë, ai gjendej në Rahovec.

Për më tepër, nuk ka qenë metodë e njohur e as parim i UÇK-së për të verifikuar “ushtarin e ri” me ndonjë aksion. Për tu bërë anëtar i UÇK-së, ka mjaftuar vullneti dhe gatishmëria për tu rreshtuar në njësitë e UÇK-së. UÇK ishte plotësisht vullnetare.

UÇK nuk kishte mundësi teorike e as praktike të bënte “prova” me ata që kishin marrë rrugën e çlirimit, sepse, ata më afër e kishin vdekjen se lirinë”.

Të ngjashme