Organizatat ndërkombëtare të gazetarëve dhe lirisë së medias, ECPMF, IPI, EFJ, Reporterët pa Kufij, Indeksi mbi Censurën dhe OBCT kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me financimin e pamjaftueshëm të RTK-së dhe kanë kërkuar urgjentisht nga institcionet e Kosovës që të përmbushin kërkesat ligjore të buxhetit.
“Kuvendi i Kosovës po diskuton aktualisht buxhetin e RTK-së, i cili parashikohet të miratohet në dy lexime më 19 dhe 20 shkurt 2026. Sipas projektligjit për Buxhetin e vitit 2026, parlamenti, bazuar në propozimin e qeverisë, do të ndajë vetëm 8.9 milionë euro, të cilat janë të mjaftueshme vetëm për të mbuluar nevojat themelore operative, siç janë pagat e stafit”, thuhet në komunikatë.
“Një deficit buxhetor i kësaj shkalle do ta dëmtonte seriozisht aftësinë e transmetuesit publik për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe për të përmbushur misionin e tij për të informuar qytetarët mbi çështjet me interes publik. Nëse RTK do të merrte buxhetin që i takon ligjërisht, kjo do t’i lejonte atij të vepronte në mënyrë të pavarur nga çdo ndërhyrje nga qeveria dhe Parlamenti, duke mundësuar njëkohësisht investimet dhe zhvillimin e transmetuesit public”, thuhet tutje.
“Përpara vendimit të pritur buxhetor, organizatat tona i kërkojnë bashkërisht Kryeministrit dhe Presidentit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe Kryetares së Parlamentit, Albulena Haxhiu, të sigurohen që transmetuesi publik të marrë buxhet të mjaftueshëm dhe të drejtë në përputhje me ligjin dhe që të mos i nënshtrohet presionit politik përmes kufizimeve buxhetore”, thekson njoftimi.