Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar lidhur me mënyrën e zhvillimit të takimeve për zgjedhjen e Presidentit, duke theksuar se ky është një proces që i takon Kuvendit dhe jo Qeverisë.
Sipas tij, është e pazakontë që diskutimet për këtë çështje të mbahen në zyrën e Kryeministrit, sikur të ishte proces qeveritar. Cakolli vlerëson se takimet duhet të zhvillohen mes kryetarëve të partive parlamentare, pasi bëhet fjalë për një proces që kërkon marrëveshje politike ndërmjet forcave parlamentare.
Ai thekson se zgjedhja e Presidentit nuk është raport mes Kryeministrit dhe opozitës, e as mes Kryeministrit dhe deputetëve, por proces që kërkon konsensus të gjerë parlamentar prej dy të tretave të votave, të paktën në dy raundet e para të votimit.
Cakolli paralajmëron se koha është vendimtare dhe se, më së largu deri më 5 mars, duhet të arrihet marrëveshje politike dhe të votohet me sukses Presidenti. Në të kundërtën, sipas tij, vendi mund të përballet me situatë të shkeljes kushtetuese që praktikisht do ta çonte drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.