Besnik Bislimi pritet ta udhëheqë Zyrën për Ekspertizë dhe Mbikëqyrje të Ministrive

Prishtinë | 23 Shk 2026 | 13:46 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pritet ta udhëheqë Zyrën për Ekspertizë dhe Mbikëqyrje Strategjike, një zyrë të re që sapo është themeluar të premten nga Qeveria e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Zyra, e cila do të veprojë në kuadër të strukturave të Kryeministrit, do të ketë nën kompetencë mbikëqyrjen e projekteve dhe kontratave kapitale. Bislimi do t’i raportojë direkt kryeministrit Albin Kurti.

Sipas vendimit 12/02, Zyra për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategjike do të ketë kompetenca të gjera në raport me ministritë e qeverisë Kurti 3.

Vendimi, që e ka ndryshuar atë të vitit 2022 kur ishte krijuar një Njësi për ekspertizë, tani e ka kthyer në Zyrë duke ia dhënë edhe këto përgjegjësi:

– Angazhimi i ekspertizës për nevoja të dikastereve të Qeverisë,

– Sigurimi i zbatimit të Planit të Punë të Qeverisë përmes ekspertizës,

– Mbikëqyrja e zbatimit të projekteve kapitale dhe programeve të parapara me Planin e Punës të Qeverisë,

– Sigurimi i zbatimit të kontratave të nënshkruara, në veçanti të atyre të projekteve kapitale,

– Rekomandime Kryeministrit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi marrjen e masave për të siguruar zbatimin e projekteve e të programeve të parapara me Planin e Punës së Qeverisë

Pos kësaj, Bislimit mund edhe t’i delegohen punë shtesë nga kryeministri e Qeveria.

Por, Besnik Bislimi, që do të jetë ‘shef’ i ministrave, në kuptimin e mbikëqyrjes së zbatimit të projekteve dhe kontratave kapitale, nuk do t’i raportojë kabinetit qeveritar por vetëm Kryeministrit Albin Kurti.

Ndër të tjera, Zyra do të ketë buxhet të ndarë dhe staf mbështetës – asistentë e shofer.

Vet Bislimi, që kishte qenë zëvendës i parë i Kurtit, e përgjegjës për dialogun, kishte lënë të kuptohet javë më parë se do të vazhdojë punën në ekzekutiv.

“Këtë mandat e kemi bërë më të mirën. Mandati i ri qeveritar, i cili vjen edhe me më shumë përgjegjësi dhe besim nga qytetarët, do të jetë edhe më i suksesshëm, me të arritura të reja, progres demokratik dhe zhvillim ekonomik”, ka deklaruar Bislimi.

Po sot, u njoftua që çështja e dialogut do të kalojë në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që udhëhiqet nga Glauk Konjufca.

Të ngjashme