Thirrja për dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese do të bëhet me 26 shkurt, e ku pas pak ditësh siç paralajmëron kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu do të bëhet thirrja publike, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit me Komisionin e Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese, Haxhiu tha edhe të jenë dakorduar që komisioni në mënyrë të veçantë të inkurajojë gratë për të aplikuar në këto dy pozita.
“Atëherë në përputhje me obligimet kushtetuese, me ligjin për Gjykatën Kushtetuese por edhe me njoftimin që kemi marrë nga Gjykata Kushtetuese, sot u takuam si komisioni i posaçëm për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Ne u dakorduam me konsensus që shpallja apo thirrja për dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të bëhet me 26 shkurt, pra pas pak ditëve do të hapet edhe thirrja publike për këtë qëllim. Me këtë rast jemi dakorduar që komisioni në mënyrë të veçantë të inkurajojë gratë për të aplikuar në këto dy pozita, duke pasur parasysh që në përbërjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese janë gjashtë gjyqtarë burra dhe në anën tjetër vetëm një grua. Prandaj me këtë rast ftoj të gjithë kandidatët të cilët i plotësojnë kushtet sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese që të aplikojnë në këto pozicione. Sigurisht që do të kujdesemi maksimalisht që procesi të jetë transparent, të jetë po ashtu profesional dhe ata të cilët e meritojnë të jenë në këto dy pozita të votohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ndonëse pastaj varet nga vullneti i deputetëve të Kuvendit të Republikës“, u shpreh ajo.
Ajo paralajmëroi se do të ketë shpallje edhe për anëtar të Këshillit Gjyqësor.
“Siç kemi thënë në vazhdimësi, Kuvendi i Kosovës ka shumë obligime në raport me plotësimin e pozitave vakante, prandaj përveç sot shpallëm konkursin për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, do të vazhdojmë nesër me një anëtar të Këshillit Gjyqësor“, tha tutje ajo.
