Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se u diskutua për dy rrugë për çështjen e presidentit apo presidentes, raporton Ekonomia Online.
“Ishte një takim ndërpartiak, ku diskutuam çështjen e ardhshme të zgjedhjes së presidentit të ardhshëm dhe jo vetëm. Folëm për gjithë politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, çështje të sigurisë dhe çështje me interes të përbashkët. E falënderova për përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në buxhetin shtetëror. U zotuam për çështje të marrëveshjeve ndërkombëtare në interes të Republikës së Kosovës, por në përgjithësi folëm për çështjen e rëndësishme të presidentit dhe afatit kushtetues që po na rrjedh; janë nëntë ditë deri te zgjedhja. Dakordimi i përgjithshëm është se janë vetëm dy rrugë përpara: ose konsensus politik mes faktorëve të vendit, dhe ky konsensus duhet të ndërtohet në këto nëntë ditë të ardhshme, ose një marrëveshje klasike politike mes partive për çështjen e presidentit. Në të dyja rastet duhen dy të tretat e votave. Mbetëm të takohemi në ditët në vazhdim”, tha ai.
Ai tha se nuk është fol për emra por vetëm për rrugët.

