Ende “sekret” kandidati për postin e presidentit/es, Nagavci: Nuk kemi një emër konkret

Prishtinë | 24 Shk 2026 | 12:02 | Nga Gzim Mujaj

Kur kanë mbetur tetë ditë nga afati për pozitën e të parit të shtetit, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në një intervistë për Ekonomia Online ka deklaruar se aktualisht nuk ka një qëndrim zyrtar për një emër specifik për president, përfshirë këtu zërat për Vjosa Osmanin apo dikë nga familja Jashari. Por ka theksuar atë që e tha dhe kryeministri Albin Kurti se procesi i zgjedhjes kërkon diskutime intensive dhe sigurimin e të paktën 80 votave në Kuvend para afatit kushtetues të 4 marsit.

Ajo bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj nuk kanë dalë ende me një kandidat, duke shtuar se emri do të bëhet publik vetëm pasi të përmbyllen konsultimet me deputetët dhe grupet e tjera parlamentare, me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të garantuar stabilitet institucional.

“Po, aktualisht nuk kemi një emër konkret, për të cilin e dimë se ka mbështetje të plotë, për të vazhduar me votimin, gjegjësisht sigurimin e 80 votave të nevojshme për votimin e presidentit. Por natyrisht kryeministri Kurti do të vazhdojë diskutimet me të gjithë ata që mund të ndikojnë në këtë proces, në radhë të parë pra me kryetarët e partive, me deputetët, me grupet, në mënyrë që të sigurohemi që deri me datën 5, kur ne duhet të kemi të zgjedhur presidentin ose presidenten e vendit, të kemi së paku 80 deputetë të cilët do të qëndrojnë në sallë, e më e mira do të ishte që edhe të marrin pjesë në votim, e të përfundohet me votimin e kandidatit i cili do të ishte përfaqësues i të gjitha subjekteve që marrin pjesë në votim”, tha ajo.

Ajo rikujtoi se, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2021 kur ishte përmendur publikisht kandidatura për presidente, në zgjedhjet e vitit 2025 nuk është paraqitur paraprakisht një emër për këtë post, duke theksuar se tani nevojitet diskutim dhe konsensus më i gjerë politik për ta përmbyllur procesin brenda afatit.

“Tash përgjithësisht ju e dini që në zgjedhjet e vitit 2021, kur ne kemi garuar në atë kohë në aleancë domethënë bashkë me Partinë Guxo edhe me Alternativën, ne edhe gjatë gjithë fushatës zgjedhore e kemi përmendur që kandidojmë, gjegjësisht kërkojmë besimin e qytetarëve për kryetarin tonë të Lëvizjes, zotin Albin Kurti për kryeministër, ndërkohë që për zonjën Osmani për presidente. E kemi përmendur disa herë edhe gjatë fushatës dhe ky nuk është rasti tani në zgjedhjet e fundit të vitit 2025. Në zgjedhje kemi garuar me kërkesën e votës për kryeministrin Kurti dhe për Lëvizjen Vetëvendosje bashkë me partnerët e saj për qeverisje. Që nënkupton që për zgjedhjen e presidentit, presidentes, duhet të ketë diskutime që besoj që do të jenë shumë më intensive në këto ditë të mbetura, që ta përmbyllim suksesshëm edhe zgjedhjen e presidentit, presidentes deri me 4 mars, siç janë afatet kushtetuese. Dhe konsideroj që është obligim i të gjithë neve, deputetëve, që të gjejmë një konsensus sepse tashmë kemi pasur shumë zgjedhje. Në vitin e kaluar kishim katër palë zgjedhje. Institucionet për një kohë të gjatë kanë vepruar, kanë punuar si institucione me qeverisje në detyrë dhe është tejet e rëndësishme që stabiliteti i cili u rikthye edhe me votimin e qeverisë edhe me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, së fundmi edhe me ligjin për buxhetin, të vazhdojë me punë me mandat të plotë në interes dhe shërbim të qytetarëve. E kjo është e mundur vetëm pasi të votohet edhe presidenti, presidentja”, tha ajo.

E pyetur për emra të përfolur në publik, përfshirë edhe nga familja Jashari, Nagavci tha se nuk ka qëndrim zyrtar për ndonjë kandidat specifik dhe se emri do të bëhet publik vetëm pasi të përmbyllen diskutimet me deputetët e grupeve tjera parlamentare.

“Tani emra, secili mund të flasë për emra të ndryshëm. Nuk ka një qëndrim zyrtar as të Lëvizjes e as të partnerëve tanë për një emër specifik. Në momentin që do të kemi një emër, në momentin që do të arrijmë t’i përmbyllim suksesshëm diskutimet edhe me deputetët e grupeve të tjera parlamentare, sigurisht se këtë do ta bëjmë të ditur edhe për ju”, tha ajo.

Sa i përket mosftesës së Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në raundin e parë të diskutimeve, ajo theksoi se prioritet mbetet sigurimi i 80 votave të garantuara për të shmangur çdo befasi që do ta çonte vendin në zgjedhje të reja, duke shtuar se raportet e forcave në Kuvend kanë ndikuar në mënyrën e zhvillimit të konsultimeve.

“Tani ju e dini që neve na nevojiten së paku 80 vota, me garancinë që 80 deputetët të cilët janë të sigurt do të marrin pjesë në votim në raundin e parë, në raundin e dytë, në mënyrë që të kemi zgjedhjen e presidentit ose presidentes. Tashmë kryeministri Kurti ka zhvilluar diskutimet edhe me zotin Hamza, kryetarin e PDK-së, edhe me zotin Abdixhiku, kryetarin e LDK-së dhe do të vazhdojë diskutimet edhe me partitë e tjera. Arsyet pse është vendosur që të shkohet në këtë kahje bëjnë, në radhë të parë, me raportin e forcave të cilat janë të përfaqësuara në kuvend, në mënyrë që të mos kemi asnjë befasi e cila në çfarëdo rrethane do të çonte vendin në zgjedhje. Pra, si Lëvizje Vetëvendosje ne jemi të interesuar që të vazhdojmë punën bazuar në besimin që na kanë dhënë qytetarët, që të vazhdojmë me implementimin e programit qeverisës, i cili duhet të prezantohet edhe në kuvend e pastaj të vazhdohet me punë. Por natyrisht kjo me numrat që janë në kuvend aktualisht nuk varet qind për qind vetëm nga ana jonë dhe partnerëve tanë. Andaj ne jemi duke bërë gjithçka që është në dorën tonë që të vazhdojmë tutje me institucione stabile edhe me punë në shërbim të qytetarëve”, tha ajo.

Të dielën dhe të hënën, Kurti u takua me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe me kryetarin e Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, për të diskutuar mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje.

Kurti ka deklaruar se situata nuk është e lehtë, por se do të bëhen përpjekje maksimale për të shmangur zgjedhjet e reja. Ai ka theksuar se as partia e tij dhe as dy partitë e tjera të mëdha nuk kanë kandidat zyrtar, duke shtuar se synimi duhet të jetë sigurimi jo vetëm i 80, por deri në 85 votave për të evituar dështimin e procesit në rast mungesash.

Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa afati i fundit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit është 4 marsi. Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Të ngjashme