Prokuroria e Prishtinës ka caktuar 30 ditë paraburgim për katër persona, të dyshuar për mashtrim.
M.M, S.B, D.R dhe B.Z, dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke fshehur faktet relevante dhe duke vënë në lajthim të dëmtuarin H.M, në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëm në vlerë 1,578,180 euro.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari M.M. dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” ndërsa i dyshuari D.R. dyshohet edhe për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.
Prokurori i shtetit ka nxjerrë urdhër ndalues të përkohshëm për parcelat përkatëse, pasi ekziston dyshimi i bazuar se prona është shitur mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme.
Njëkohësisht, nga Gjykata është kërkuar lëshimi i urdhërit ndalues përfundimtar për këto parcela, me qëllim të sigurimit të pronës deri në përfundim të procedurës penale.
Më 19.02.2026, Policia e Kosovës kishte njoftuar se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas një pune operative-hetimore, kanë siguruar informata dhe prova që çojnë në dyshimin se katër persona kanë tjetërsuar dhe shitur në mënyrë të kundërligjshme një pronë në vlerë mbi 1.5 milion euro.