Konjufca me lojë fjalësh kur pyetet nëse është ai emri për President: Konkludimi i mazhorancës ka qenë që përmes një emri të përveçshëm

Prishtinë | 25 Shk 2026 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri, njëherit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca i pyetur nëse ai do të jetë emri për president nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se në politike asgjë nuk ka absolute, dhe ka thënë se “a jam unë opsion? Jo mendoj që nuk është fol, e nuk është shtru në këtë kontekst”, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se konkludimi i mazhorancës ka qenë që përmes një emri të përveçshëm mos me mbështet për muri opozitën.

“Sa i përket presidentit, ju e dini dhe e keni të qartë si gazetar që Kushtetuta jonë qëllimisht e ka bërë një dallim mes mënyrës së zgjedhjes së presidentit dhe qeverisë. Qeveria zgjidhet me një mazhorancë të thjeshtë, mjaftojnë 61 deputetë, por institucioni i presidentit dallon. Dhe kjo prej Kushtetutës sonë, prej atyre që e kanë konceptuar në fillim dhe kanë marrë pjesë në përpilimin e saj, ideja bazike ka qenë që një mazhorancë e thjeshtë mos të ketë garanci që vetë me zgjedhë presidentin, por me qenë një lloj bashkëpunimi edhe me forca të tjera politike për me mujtë me ardhë deri te një numër i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Kësaj radhe nuk po flas me emra të partive politike, por me konceptet e mazhorancës në Kuvendin e Kosovës. Ajo mazhorancë që është prej 66 numrave në Kuvendin e Kosovës, ne jemi bindur që nuk ka mundësi përmes një emri që propozohet, një emër i njëanshëm, ta marrim edhe votën e opozitës me i bo 80 vota. Ky është konstatimi i mazhorancës, nuk them që është absolut, sepse gjëra absolute në politikë nuk ka. Ka të përafërta. Por me përafërsi ky është konkludimi i mazhorancës, ndoshta e kemi gabim, ndoshta mirë. Konkludimi është që përmes një emri të përveçshëm ne mos me mbështet për muri opozitën, dmth: “Ky është dhe duhet ta votoni.” Pikërisht për këto arsye Kurti ka bërë thirrje me i taku kryetarët e partive politike”, tha ai.

Ai nuk është përgjigjur direkt edhe nëse do ta kenë opsion Vjosa Osmanin

“A jam unë opsion? Jo, unë mendoj që nuk është fol në këtë nuk është shtruar në këtë kontekst. Po ta kishte qasjen maxhoranca që do ta propozojë një president të Lëvizjes Vetëvendosje, unë mendoj që ajo është pikërisht ajo që thashë në fillim po dojmë me e shmang. Se kjo është me e qit opozitën para aktit të kryer. Me thënë ky është dhe duhet ta votoni. Ju duhet ta kuptoni që ky nuk është qëllimi kësaj radhe i maxhorancës, prandaj kemi vepruar në tjetër mënyrë”, tha ai.

Të ngjashme